Akrepat u kthyen 60 minuta pas këtë të diel, ku kalohet nga ora ligjore e vendosur për të kursyer energji, në atë dimërore, e cila do të jetë në fuqi deri të dielën e fundit të marsit.
Me ndryshimin e orës këtë diel, do të flemë më shumë. Nuk janë të paktë ata që i gëzohen këtij fakti, teksa të tjerë ndajnë bindjen se ndryshimi i orës nuk duhet të ndodhë, siç sugjeroi edhe Komisioni Europian.
Hulumtimet e reja tregojnë se njerëzit mund të kenë nevojë për më shumë gjumë gjatë muajve të errët të dimrit sesa gjatë verës.
Kjo ndodh edhe tek ata që jetojnë nëpër qytete, ku drita artificiale mendohet se ndërhyn në ndikimin natyror të dritës së ditës në modelet tona të gjumit.
“Studimi ynë tregon se edhe kur jetojnë në një mjedis urban, me dritë artificiale, njerëzit përjetojnë gjumë sezonal”, thotë një nga autorët kryesorë të tij, doktor Dieter Kunz.
Eksperti Neil Stanley pohon nga ana tjetër se shumë njerëz vuajnë nga ajo që quhet ‘social jet lag’, që do të thotë se nuk flenë mjaftueshëm gjatë javës e ndërsa me ndryshimin e orës, në fundjavë mundohen të rikuperojnë mungesën, plus një orë më shumë gjumë. Ai thotë se duhen tre ditë që trupi të përshtatet me ndryshimin.
Një sërë hulumtimesh kanë treguar se ndërprerja e cikleve të natyrshme të gjumit mund të ndikojë në shëndetin fizik dhe mendor.
Sipas klinikës Mayo, truri i njeriut ka një orë biologjike që funksionon në një cikël 24-orësh. Pavarësisht nëse fitoni një orë shtesë ose humbisni një orë gjumë, kjo shkakton ndërprerje të ciklit të gjumit dhe e vështirëson përshtatjen me një orar normal. Gjumi i trazuar konsiderohet se mund të çojë në një rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare.