Tashmë gjithçka është gati, sot në Ras Al Khaimah të Emirateve të Bashkuara Arabe do të startojë Kampionati Botëror i Minifutbollit. Për herë të parë në këtë eveniment prestigjioz mes 32 shteteve pjesëmarrëse do të jetë edhe Shqipëria.

Pas një faze përgatitore më shumë se 1-mujore, përfaqësuesja kuqezi është nisur dje në drejtim të Emirateve të Bashkuara Arabe për aventurën në Botëror.

Shqipëria siç dihet bën pjesë në Grupin F, së bashku me Francën, Anglinë dhe Sllovakinë, ndërsa do të zbresë në fushë nesër në orën 16:30 për ndeshjen e parë kundër sllovakëve.

Në prag të Botërorit, trajneri Ergys Kadiu foli për pritshmëritë e Shqipërisë në këtë kompeticion: “Ne e kemi vlerësuar maksimalisht si kompeticion, pasi bëhet fjalë për Kupën e Botës. Rivalët i kemi studiuar, duke parë pamjet filmike të ndeshjeve që ata kanë zhvilluar. Grupi ynë është shumë i fortë, me skuadra si Sllovakia, Anglia dhe Franca, të tria ekipe me nivel. Sllovakia që duket si një emër më i dobët në letër është nga skuadrat më të forta. I kemi studiuar, kemi punuar dhe mendojmë se kemi marrë masat e duhura për t’u përballur me ta”, u shpreh ndër të tjera trajneri Kadiu.

Ndeshja hapëse e kampionatit botëror 2023, do të luhet mëngjesin e sotëm, me Meksikën, kampionen në fuqi, që do të sfidojë Irlandën.

Në Botërorin e Minifutbollin nuk do të mungojnë as emra të rëndësishëm që vijnë nga futbolli i madh, përmendim këtu Algjerinë, e cila ka në përbërje ishlojtarin e Interit, Safir Taider, gjithashtu edhe ish-mesfushorin e Marsejës, Karim Ziani.