Një stuhi e fuqishme ka goditur Britaninë e Madhe, Gjermaninë veriore dhe jugun e Skandinavisë për të tretën ditë me radhë, me erëra të fuqishme, shira të dendur dhe stuhi që shkaktuan përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike, evakuime dhe ndërprerje të fluturimeve, shërbimit hekurudhor dhe linjave të trageteve.
Që nga e enjtja, të paktën katër persona kanë vdekur nga stuhia, e pagëzuar nga Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar me emrin “Babet”. Viktima e fundit ishte një grua 33-vjeçare, e cila u vra kur një pemë ra mbi makinën e saj në ishullin e tretë më të madh të Gjermanisë, Fehmarn. Tre vdekje të lidhura me stuhinë u raportuan dhe në Angli e Skoci.

Mekanizmat mbrojtës kundër përmbytjeve nuk arritën të frenonin dot vërshimin e furishëm të ujrave në Danimarkë e Gjermani. Në Flensburg, një qytet gjerman në jug të kufirit me Danimarkën, uji shkoi në 2 metra mbi nivelin më të lartë të regjistruar brenda një shekulli. Energjia elektrike u ndërpre në pjesët e përmbytura të qytetit për arsye sigurie. Linjat e trageteve dhe shërbimi hekurudhor u pezulluan përkohësisht jo vetëm në zonat gjermane e daneze të prekura nga moti i keq, por edhe në Suedinë jugore. Aeroporti i Kopenhagenit anuloi 142 fluturime, ndërsa në Skoci, parashikohen të bien gjatë ditës plot 100 milimetra shi. Disa qytete mbeten nën alarmin e kuq të motit, niveli më i lartë ky që do të thotë se ekziston rreziku për jetën.