Altin Haxhi është i mahnitur nga ecuria e Kombëtares, teksa kuqezinjtë janë vetëm një pikë larg kualifikimit në Europian. Ish-mbrojtësi i majtë gjirokastrit, që ka luajtur 67 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola me fanellën kuqezi në periudhën 1995-2009, foli dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” në prag të miqësores Shqipëri-Bullgari. Haxhi është i lidhur ngushtë me shtetin bullgar, pasi aty jeton familjarisht prej vitesh. Mbi të gjitha 48-vjeçari ka një detyrë të rëndësishme te CSKA-ja e Sofjes, duke qenë drejtor i akademisë së klubit të madh bullgar.
Altin, e keni ndjekur së fundmi Kombëtaren?
Po, sigurisht. I kam ndjekur të gjitha ndeshjet me shumë kënaqësi.
Çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje?
Më ka bërë përshtypje që ekipi kombëtar ka filluar të ketë një fytyrë.
Në ç’kuptim?
Në kuptimin që Shqipëria ka një skuadër që di të fitojë dhe di të mbajë rezultatin. Shikoj një grup lojtarësh cilësorë, që e bëjnë në mënyrën më të përkryer fazën sulmuese. Sa i përket fazës mbrojtëse, kemi pak dobësi në momentin kur lojtarët e krahut u kërkohet të shtyjnë, por këto gjëra rregullohen gradualisht. E rëndësishme është që ky ekip jep garanci dhe mund të arrijë rezultate të mëdha.
Çfarë ka ndryshuar Silvinjo sipas jush?
Ka bërë atë që është më kryesorja, u ka dhënë besim maksimal lojtarëve dhe ata e ndjekin në çdo hap. Të gjithë futbollistët po japin gjithçka nga vetja, si ata që e nisin titullarë, ashtu edhe ata që vijnë nga stoli. Silvinjo po u merr më të mirën dhe me ndeshjet që kam parë, dallohet lehtësisht që lojtarët bëjnë në fushë atë që u kërkohet nga trajneri.
Sot luajmë ndaj Bullgarisë që ju e njihni mirë. Si e parashikoni këtë miqësore?
Bullgaria po kalon një moment shumë të vështirë. Vjen pas një humbjeje ndaj Lituanisë dhe situata është e tillë që edhe mund të largohet trajneri. Mirëpo, e sigurt është që në përballjen kundër nesh do të luajnë për të fituar, sepse duan të bëjnë kthesën, edhe pse është miqësore. Kanë lojtarë të mirë, por janë në një moment të keq sa u përket rezultateve. Sigurisht nuk janë futbollistët që kanë qenë dikur, por kundër nesh do të motivohen për të marrë rezultat.