Me ftesën e palës amerikane, nga 26 deri më 28 tetor, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi vizitoi ShBA-në. Në agjendën e vizitës kryediplomati kinez u takua me presidentin amerikan Joe Biden, zhvilloi dy raunde bisedimesh me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken, si dhe me ndihmësin e presidentit amerikan për çështjet e sigurisë shtetërore Jake Sullivan. Kjo është vizita e parë e zyrtarit të lartë kinez në ShBA pas vizitës së shumë zyrtarëve të lartë amerikanë në Kinë që nga qershori i këtij viti. “Dy palët ranë dakord për realizimin e takimit të liderëve të të dy vendeve në San Francisco.” Kjo deklaratë tërhoqi vëmendjen e analistëve, sipas të cilëve ky është pa diskutim një sinjal i qartë që përcjell optimizëm për zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane në të ardhmen e afërt.
Gjatë vizitës, Wang Yi paraqiti 5 propozime për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke përfshirë zbatimin e mendimeve unanime të arritura nga liderët e të dy vendeve, mbajtjen e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve kino-amerikane, mbajtjen e kontakteve dypalëshe, marrjen nën kontroll të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Edhe pala amerikane është përgjigjur aktivisht ndaj këtyre propozimeve, duke shprehur shpresën për mbajtjen e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve dypalëshe.
Tani grupi i punës ekonomike Kinë-ShBA dhe grupi i punës financiare janë vënë në funksionim, po ashtu ka rifilluar bashkëpunimi dypalësh në shkëmbimet lokale, ndryshimin e klimës etj. Duke i bërë më të shpeshta shkëmbimet kino-amerikane në nivele të ndryshme. Krahas këtyre, dy palët ranë dakord për zhvillimin e konsultimeve për çështjen detare, për kontrollin e armatimeve dhe mospërhapjen, zhvillimin e konsultimeve diplomatike, shtimin e fluturimeve të drejtpërdrejta të avionëve të pasagjerëve etj, citon CMG.
Si një nga marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë, zhvillimi i marrëdhënieve kino-amerikane lidhet me perspektivën e situatës ndërkombëtare. Pala kineze mendon gjithmonë se zhvillimi i marrëdhënieve kino-amerikane duhet t’i përmbahet respektimit të 3 komunikatave të përbashkëta Kinë-ShBA, në përputhje me parimet e ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Çeshtja e Tajvanit është thelbi i interesave kineze, si dhe një problem i rëndësishëm në marrëdhëniet kino-amerikane. Gjatë vizitës në ShBA, ministri i Jashtëm Wang Yi theksoi se “pavarësia e Tajvanit” është kërcënimi më i madh ndaj paqes e stabilitetit në ngushticën e Tajvanit dhe përbën sfidën më të madhe në marrëdhëniet kino-amerikane. Kina e kundërshton me vendosmëri “pavarësinë e Tajvanit”. Takimi i kësajhershëm mes zyrtarëve të lartë kinezë e amerikanë ka lëshuar sinjale aktive dhe bashkësia ndërkombëtare shpreson se të dy palët do të punojnë së bashku për të nxitur rikthimin sa më parë të marrëdhënieve dypalëshe në rrugën e zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm.