Për herë të parë në historinë e Kishës Katolike Romake, gratë u lejuan të marrin pjesë në Sinodin, një mbledhje e rëndësishmë e Vatikanit ku diskutohet mbi politikat që do të ndjekë kisha në të ardhmen.
Mbledhja e rreth 300 peshkopëve nga e gjithë bota përfshiu gjithashtu për herë të parë murgesha dhe 70 laikë, mes tyre gra, të cilët kanë të drejtë vote. Mbledhja u thirr nga Papa Françesku për të diskutuar të ardhmen e Kishës Katolike Romake, duke përfshirë tema të ndjeshme: priftërinjtë e martuar, bekimet e çifteve homoseksuale, sakramentet për të divorcuarit dhe të rimartuarit si dhe rolin e grave brenda kishës.
Gratë katolike kanë bërë thirrje për pozita të barabarta dhe më shumë të drejtë fjale në lidhje me funksionimin e kishës, për vite me rradhë. Duket se po arrihet një farë konsensusi mbi çështje të veçanta, por ende ka kundërshti të thella ndaj shugurimit të grave si dhjakë, e lëre më si priftëresha.
Një vendim kaq i rëndësishëm në fund i takon Papa Françeskut, i cili nuk pritet të bëjë ndonjë ndryshim të madh pas këtij takimi i cili përfundon më 29 tetor dhe do të mblidhet për një fazë përfundimtare tetorin e ardhshëm.