Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” kanë ardhur në jetë trinjakët të cilët gëzojnë shëndet të plotë. Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu u ka uruar mirë se ardhjen të porsalindurve, Kajla, Kain dhe Krid. Ajo shprehet se secili prej tyre përfiton bonusin e bebes në masën 120 mijë lekë.

“Mirënjohje mjekëve dhe infermierëve të këtij Materniteti për shërbimin e përkushtuar dhe profesionalizmin në kujdesin ndaj JETËS”, shprehet Koçiu. Ministrja nënvizon se rreth 200 mijë familje që janë gëzuar me ardhjen në jetë të fëmijëve të tyre kanë përfituar mbështetjen financiare të qeverisë për çdo të porsalindur përgjatë pesë viteve të fundit. Me ndryshimet më të fundit të miratuara në Kuvend, ky program do vijojë të mbështesë familjet që jetojnë dhe kontribuojnë në Shqipëri.