Dosja e SPAK, në ngarkim të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, çdo moment ofron xhevahire nga më të ndryshme, ku tregon se veprat penale aty janë me okë, mjafton të studiosh materialin.
Në çdo paragraf gjenden fakte të tmerrshme të qarkullimit të shumave marramendëse parash. Sekuestrimi nga ana e SPAK në qershorin e vitit 2023 të një kompjuteri të Studios Pustina, duket se ka qenë vendimtare për sigurimin e provave më të fuqishme përveç atyre që tashmë diheshin.
Gazeta TemA zotëron pjesë të kësaj dosje, ku bëhet fjalë se Fatmir Bektashi, de jure CEO i kompanisë së ndërtimit që ka ndërtuar 17 kullat në territorin e ish-klubit Partizani, shpërndante dividentin, paratë që tepron nga shpenzimet për pronarin real Jamarbër Malltezi. E këto para nuk kanë qenë gjithmonë në bankë, por në një pjesë dërrmuese kanë lëvizur në dorë si para cash. Element ky që as ka filluar të hetohet. Pra, deri më tani, ai 5.4 milionë eurosh i sekuestruar dhëndrit të Sali Berishës, janë para që kanë qarkulluar në rrugë bankare.
Në kompjuterin e studios Pustina, bëhet e qartë se Fatmir Bektashi, të gjitha paratë që tërhiqte dividend i dërgonte menjëherë tek dhëndrri i Berishës. Për ta shpjeguar më qartë; sikur Bekrashi të kishte një dyqan ushqimoreje, ai në darkë merrte xhiron e parave, paguante rroga e shpenzive, çfarë tepronte ja dërgonte direkt Jamarbër Malltezit.
Kjo jepet qartë në dosje, ku thuhet se “Bashkëngjitur do të gjeni tabelat për dividentet e tërhequr për Z.Jamarbër Malltezi, ku janë realizuar korrigjimet. Pas korigjimeve të realizuara rezulton se janë tërhequr si divident nga Z.Fatmir Bektashi 304 mijë euro dhe janë paguar për Z.Jamarbër Malltezi 214 mijë euro”.
Ndërkaq, në dokumentin e dosjes së SPAK, theksohet se “Fakti i dorëzimit të këtyre dokumenteve në studion Pustina nga shtetasi Fatmir Bektashi de rakordimi i bërë mbështetet në aktin e ekspertimit numër 118 datë 29.6.2023 në lidhje me kompjuterat e sekuestruar në studion Pustina. Ka rezultuar se ka mbërritur emaili i datës 29.05 2022, në orën 04.48 nga shtetasi Fatmir Bektashi për shtetaset Andia Pustina, Odeta Fishta dhe Eralda Ikonomi me përmbatje. Subjekt Re Llogaritje dividentit
Përshëndetje Znjsh Fishta, ju falenderoj për materialin. Në dijeninë tonë ka edhe materiale të tjera të shpjeguara në dokumentet rakordues të cilat ju ka dërguar Suzana dhe Vangjeli të cilat ju i keni. Duhet marrë në konsideratë edhe ato materiale që të kemi një situatë reale. Më thoni kur ti gjeni që ti shikojmë së bashku. Fatmir Bektashi”.
Në dosje theksohet se nga përmbajtja e këtij emaili, shtetasi Fatmir Bektashi nuk është dakord me të dhënat në tabelën e pasqyruar me emërtimin Fitim divident 2022, sepse nuk kanë marrë në konsideratë dokumentet rakordues, konkretisht tabelat e sekuestruara pranë studios Pustina.
Në deklarimin e 18 majit 2023, shtetësja Suzana aliaj ka deklaruar se “Kjo tabelë është ndërtuar me të dhënat që më ka besuar CEO i shoqërisë Fatmir Bektashi, në lidhje me llogarinë e tij personale se ku e ka çuar dividentin e tij. Pjesa e tabelës që ka përshkrimin “për faturë”, është veprim bankar për likuidim faturash që janë paguar për llogari të shtetasit Jamarbër Malltezi për licensën që ai zotëronte ‘për Shëbime ambjentale’’. Të githa dokumentet që kanë përshkrimin ‘Bankë” janë veprime që janë kryer nga shtetasi Fatmir Bekrashi nga llogaria e tij personale. Në lidhje me përshkrimet cash nuk kam dijeni” Dhe dokumenti përfundon me frazën: “Këto janë informacione konfidenciale të CEO shtetasit Fatmir Bektashi të cilat i kam pasqyryar siç mi ka thënë ai”.