Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, është shprehur se vendimi i ‘Strasburgut’ për vrasjen e Aleks Nikës në 21 janar, i ka hapur diapazonin Prokurorisë së Tiranës për të marrë në pyetje persona të tjerë.

Komentet Beci i bëri në emisionin “Review” në Euronews Albania, ku tha se nëse nga këto hetime të reja rezulton emri i ish-kryeministrit apo ish-ministrit të Brendshëm si urdhërues të sulmit, vetëm atëherë dosja mund t’i kalohë SPAK për hetim.

“Unë lexoj në këtë vendim që Prokurorisë së Tiranës i është hapur një diapazon për të marrë e për të pyetur shumë persona të tjerë, për mënyrën sesi është sjellë Garda, a ka patur ndonjë urdhër nga persona të tjerë.

Gjithnjë për ngjarje dhe faktin penal që nuk është gjykuar, se ai që është gjykuar është varrosur ligjërisht. Nuk ka më rigjykim. Prokurorisë së Tiranës i hapet një diapazon shumë i madh që të pyesë personazhe të tjerë që kanë qenë subjekte, aktorë dhe faktorë në atë vendngjarje, për të realizuar mënyrën e cilësimit ndryshe të veprës penale.

Nëse nga hetimi do konstatohet që ministri Brendshëm apo Kryeministri kanë dhënë një urdhër të drejpërdrejtë me veprimet e tyre ndaj Komandantin të Gardës, atëherë mund t’ja kalojnë SPAK-ut”, është shprehur Beci.