Në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë u zhvilluan sot homazhe me rastin e 79-vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesit italianë dhe gjermanë.

Në to, morën pjesë krerët e lartë të vendit, presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit, përfaqësues të Trupit Diplomatik si dhe qytetarë e veteranë, që mbajtën fjalime, vendosën lule dhe kurora para monumentit “Nëna Shqipëri”.
“Çdo gjë fillon nga dashuria dhe mirënjohja për të rënët. Nëse ne nuk respektojmë gjakun dhe sakrificat e tyre, ne kurrë nuk do të kemi shtet“, u shpreh një qytetar.

“Sakrifikuan ata jetën e tyre në lulen e rinisë, pa jemi ne të lirë të jetojmë, punojmë e studiojmë sot“, tha një tjetër.
Si çdo vit, edhe këtë herë, idhtarët e Partisë Komuniste dhe të Enver Hoxhës që mbanin pankarta dhe portretin e diktatorit që duan, u bënë pjesë e homazheve.
Dhimitër Lala ishte fëmijë kur mori pushkën në duan dhe luftoi kundër pushtuesve. Kraharori i tij është i mbushur me medalje që kanë shënjuar jetën e 92-vjeçarit.
“Unë isha 12 vjeç kur mora armën në dorë. Kam ruajtur Pallatin e Brigadave se mos e vidhnin. Kam luftuar në veri, në Dibër. Këto medalje i kam marrë nga ish-presidenti Omer Nishani. Të rinjve u them të punojnë dhe ndërtojnë vendin e tyre dhe jo ta braktisin atë”, u shpreh Lala.