Nga Ben Andoni

Që sapo e përmend idenë e të Djathtës ekstreme krijon një përballje aspak të mirë me publikun. Kur mendon diskursin, që u ngjall disi nga opozita për emigrantët pas paktit Meloni-Rama e kupton se nuancat e ekstremit të Djathtë i kemi të pranishme. Këto ditë kemi dhe narrativën për Luftën e Dytë Botërore dhe sërish PD-ja do e nxjerrë deridiku kaosin e vet, qoftë edhe me leksikun familjar të së Djathtës nihiliste.

Anipse, në një vend si yni, ku sundojnë me shkëmbim vetëm dy parti dhe formacionet e tjera janë thjesht derivate, ideja e të Djathtës Ekstreme u vë ende buzën në gaz me sarkazëm, një pjese të njerëzve, që e kuptojnë ideologjinë. E para sepse partitë tona, s’kanë ideologji mirëfilli por interes pragmatik për të marrë pushtet por jo për të drejtuar sipas programeve; dhe e dyta, sepse nuk mund të shkojnë tek e Djathta ekstreme, parti si tonat, lindur nga PPSH-ja. Sfida e tyre ose e atyre që do mund ta sjellin këtë frymë është ndaj atyre që flasin shpesh për rregullin e munguar dhe një kanonizimi të shoqërisë shumë më tepër se liritë e pakufi, që ofrojnë partitë që mbrojnë hapësirat e tjera të spektrit politik. Matteo Salvini, pak kohë më parë, e shprehte me shumë sens këtë frymë: “E ashtuquajtura ‘E Djathta ekstreme’ e mbron klasën punëtore shumë më tepër sesa e Majta”. Po pse në Shqipëri nuk ka eksponentë të saj edhe pse shumë anëtarë të PD-së (nuk ka rëndësi krahu), e shprehin deridiku me vokacionin e tyre, kryesisht nën Berishën? Për fatin e madh të publikut, pjesa më e madhe e politikanëve nuk e kupton të Djathtën ekstreme, që në thelb mbështetet në besimin se pabarazitë janë të natyrshme dhe për këtë arsye disa grupe janë superiore ndaj të tjerëve (!), gjë që tregon pikëpamjet e tyre autoritare për shoqërinë, sipas studiuesve. Në fakt, të gjitha grupet e ekstremit të Djathtë e shohin “Ligjin dhe Rendin”, si kushtet vendimtare për të mbajtur shoqërinë e bashkuar brenda principeve të arsyeshme. Dhe, me kushtet që është Shqipëria dhe në këtë kaos, kjo është tashmë mëse e dëshirueshme. Në të gjallë të tij, Princi Leka do t’i kumtonte autorit të këtyre rreshtave pak a shumë se të vendosësh rendin në Shqipëri është një nga gjërat më të lehta: Do të ngrinte trekëmbëshat, si i ati, mbreti Zog I!!

Kuptohet se brenda krizës së sotme kërkimit për drejtësinë sublime, e Djathta ekstreme artikulon në formë (të drejtë), kur kërkon ngritjen e figurave të Autoritetit dhe mbi të gjitha ndëshkimin e çdo forme pushteti, që nuk shkon me konceptin e tyre për shtetin.

Studiuesit e huaj shkojnë dhe më tej, pasi bëjnë si duhet dallimin midis grupeve që janë armiqësore ndaj Demokracisë Liberale, zakonisht të referuara si e Djathta radikale dhe, atyre që kundërshtojnë demokracinë si të tillë, zakonisht të referuara si e Djathta ekstreme. Organizatat e Djathta radikale janë kundërshtare ndaj Demokracisë Liberale, por pranojnë sovranitetin popullor dhe rregullat minimale procedurale të demokracisë parlamentare, citojmë këtu autorin Anders Ravik Jupskås në artikullin “What is right-wing radicalism?“ (Çfarë ësshtë e Djathta radikale?). Kjo lloj demokracie e Djathtë nuk shkon shumë me rastin tonë, sepse të dyja spektret e politikës flasin për Demokraci Liberale dhe artikulojnë për demokracinë parlamentare, anipse duke bërë atë katrahurë që është edhe sot e kësaj dite parlamenti ynë.

Veçse në vende shumë më demokratike, jo kjo formë, por e Djathta Ekstreme po rikthehet. Së fundmi, Geert Wilders me partinë e tij për Liri (PVV) u shfaq si partia më e madhe në Holandë. Partitë jashtëzakonisht konservatore ndërkohë po rrinë në pushtet prej vitesh në Hungari dhe Poloni. Dhe, arsyet edhe pse ndryshojnë nga vendi në vend konvergojnë deridiku me politikat e përbashkëta për emigracionin, ekonominë ose luftën në Ukrainë, duket se të gjithë i bashkon kriza e besimit, që si në rastin e Spanjës, u shfaq përmes frymës katolike edhe një apel ndaj vlerave tradicionale dhe mënyrës së jetesës, si një apel për katolicizmin.

Edhe pse për shumë dekada, këto formacione ishin periferike në spektrin politik dhe objekte tallje, sot, partitë e ekstremit të Djathtë tani po marrin funksione qeveritare së bashku me partitë e rëndësishme të krahut të Djathtë, si në Finlandë ku erdhi pas tre muajsh negociatash, partia nacionaliste e ekstremit të Djathtë “Finlandezët” (me fushatë kundër emigracionit dhe axhendës anti-Bashkimit Evropian). Fryma e tyre duket në Itali dhe Suedi, ndërsa në Spanjë Partia Popullore Konservatore (PP) arriti një sërë marrëveshjesh koalicioni në nivel rajonal dhe lokal me partinë radikale të djathtë Vox, pak para zgjedhjeve.

Në fakt, janë tre tipare munguara të politikës në Shqipëri, që mund t’i japin oksigjen në të ardhmen këtyre organizimeve të së Djathtës ekstreme: Mungesat e ndarjeve të pushteteve, mënyrat e vendimmarrjes dhe integritetin dhe mënyrën sesi bashkëpunojnë partitë në kohë krizash. Rasti i Shqipërisë tregon se politika ka humbur çdo princip prej kaotizmit të opozitës dhe frymës së maxhorancës.

Tashmë vendi ynë është në prag të hapjes së kapitujve të integrimit, por një gjë kuptohet qartë se nuk është e largët dita, kur edhe tek ne të ravijëzohen rryma nihiliste që mund të përcillen deri në politika të caktuara kundër integrimit, qëndrimin ndaj emigrantëve, për të kërkuar kthimin e vlerave të familjes. Dhe, mjafton kriza më e vogël politike apo kaosi social tek ne, që të kërkojë një frymë ndryshe.

Cas Mudded, politologu holandez, njohës i fenomeneve të së Djathtës Ekstreme e përkufizon të Djathtën Ekstreme në kontinent si një kombinim i katër koncepteve të gjera, referuar shkrimit “Far or Extreme Right”: “Ekskluzivizmi (d.m.th., racizmi, ksenofobia, etnocentrizmi ose etnopluralizmi); tipare antidemokratike, jo-individualiste (d.m.th., kulti i personalitetit, hierarkizmi, monizmi, populizmi, antipartizmi, një pikëpamje organiciste e shtetit); një sistem vlerash tradicionalist që vajton për zhdukjen e kornizave historike të referencës (d.m.th., ligji dhe rendi, familja, komuniteti dhe kombi etnik, gjuhësor dhe fetar, si dhe mjedisi natyror); dhe një program socio-ekonomik që lidh korporatizmin, kontrollin shtetëror të sektorëve të caktuar, agrarizmin dhe një shkallë të ndryshme besimi në lojën e lirë të forcave shoqërore darviniste të tregut”.

Edhe pse duket pak larg nesh, në momentin që flasim, shquhet në narrativën e individëve të PD-së elementë të së Djathtës ekstreme, paçka se ende s’ka një organizim për të krijuar një formacion. Forca e Berishës është e tillë, që nuk lejon asnjë familje tjetër politike të së Djathtës, qoftë dhe ekstreme. Por, kjo e fundit, shpesh imponohet nga mungesa dhe e Djathta jonë po ia lë fushën e lirë asaj, bashkë me zbehjen e natyrshme të fuqisë së Berishës. Mbi të gjitha, kriza e vazhdueshme dhe mosrespektimi i vlerave të familjes dhe sidomos autoritetit të shtetit, po ia krijon mundësitë dhe Shqipërisë për një të Djathtë të tillë. I mungon ende vetëm emri i një lideri, konfigurimi i një logo dhe shpirti që do i japë frymë kaotizmit të individit shqiptar. Po, a ia del dot një e Djathtë ekstreme në Shqipëri?! (Homo Albanicus)