Cynthia Nixon, aktorja e njohur e serialit amerikan “Sex and the City”, së bashku me pesë politikanë në SHBA, ka hyrë këtë javë në grevë urie për t’i kërkuar Presidentit Biden armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës.

Nixon, e njohur për rolin e saj ikonik të Miranda Hobbes në serialin “Sex and the City”, ka qenë më parë mes 260 artistëve që nënshkruan letrën e hapur për t’i kërkuar Kongresit dhe Biden armëpushim të konfliktit.

“Nuk është asgjë normale, asgjë nga kjo rutinë lufte nuk duhet të vazhdojë”,- tha 57-vjeçarja Nixon, në konferencën e shtypit jashtë Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar 14,300 palestinezëve të vrarë në Gaza nga bombardimet izraelite, pas sulmit të Hamasit brenda Izraelit më 7 tetor.

TIME shkruan se ish-kandidatja për guvernatore e shtetit të Neë York-ut do të marrë pjesë në grevën pesëditore të urisë, para se të kthehet në New York për punët e saj.

“Ne jemi këtu në grevë urie për t’i bërë të ditur Biden ngjarjet çnjerëzore që po ndodhin në Gaza. Ai ka pushtetin për të vendosur armëpushimin”,- tha Nixon për gazetarët e “Times of Israel”.

Nixon thotë se fëmijët e saj janë me origjinë hebreje dhe se gjyshërit e tyre ishin të mbijetuar të kohës naziste. Nixon ka dy djem me ish-bashkëshortin Danny Mozes, i cili është hebre: “Djali im më ka kërkuar të ngre zërin që kjo të mos ndodhë më”.

“Jam e lodhur nga njerëz që shpjegojnë se viktimat civile ndodhin në një luftë, nuk ka asgjë normale me këto vdekje e këtë masakër”.

Pesë politikanë; Madinah Wilson-Anton nga Delaware, Zohran Mamdani nga Neë York, Mauree Turner nga Oklahoma, Sam Rasoul nga Virginia, e Abraham Aiyash nga Michigan – po marrin pjesë gjithashtu në grevën e urisë.