Si pjesë e festimeve për ditën e Pavarësisë që përkoi edhe me ditët e Kulturës Arbëreshe në Gjirokastër ka performuar një grup artistësh amatorë nga Bashkia e San Marzanos, e cila është një prej komuniteteve më të mëdha të arbëreshëve në Itali.
Artistët popullorë arbëreshë sollën në skenën e festave elementë të fuqishëm folklorikë dhe tradicionale të zonës së San Marzanos që nga veshjet dhe dekori i tyre këngët dhe vallet e vajit, emigrimit, luftës si dhe lirika të rralla të kënduara që prej shek. XV.
“Në këto ditë feste, në këto ditë të shënuara për shqiptarët dhe patjetër edhe për Gjirokastrën dhe Bashkinë e Gjirokastrës ne kemi patur kënaqësinë dhe nderin të kemi kryetarin e Bashkisë të San Marcanos, një mik, një kryetar bashkie ndryshe nga të tjerët në fakt që ka një afinitet, ka një lidhje dhe një dashuri tjetër edhe me Shqipërinë dhe këtej e tutje me Gjirokastrën , kemi diskutuar dhe shumë shpejt do të kemi edhe një binjakëzim midis dy qyteteve për të vazhduar bashkëpunimin jo vetëm kulturor, artistik” – u shpreh kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi.
“Për mua është hera e parë në Shqipëri dhe këtu në Gjirokastër dhe mund të them që mikpritja ishte e një niveli të tillë që nuk e prisnim , me të vërtetë shumë e bukur. Është mjaft e mirë idea që diskutuam për binjakëzimin mes bashkive të Gjirokastrës dhe San Marzanos, e cila është një bashki me komunitetin arbëresh ndër më të mëdhenjtë në Itali”- u shpreh Françesko Leo, kryetar i bashkisë San Marzano.
Festimet kanë vijuar me një tjetër performancë në flaut dhe instrumenta frymorë të grupit artistik të Gjilanit.
“Nën moton “jemi një” kemi marrë një ftesë për të sjellë një koncert të muzikës klasike në Gjirokastër. Kemi qenë të ftuar në bashki dhe më pas ndoqën koncertin e arbëreshëve. Ishte një atmosferë e vërtetë feste.“- shprehet Arife Kastrati profesore e flautit ne Gjilan.
“Sot kam luajtur tri pjesë dhe atmosfera ishte e shkëlqyer jo vetëm në koncert por edhe aktivitetet e tjera për pavarësinë.“- shprehet Eda Sulçese, instrumentiste.
Mes aktiviteteve të tjera zyrtare ishin homazhe në memorialin e rilindësve në ditën e Pavarësisë ndërsa janë planifikuar homazhe në varrezat e dëshmorë në memorie të festës së Çlirimit.