Nga Saimir Lolja/
Në vjeshtën e vitit 1912, trojet shqiptare qenë shesh lufte dhe njëkohësisht të pushtuara nga forca Lindore (sllave, greke e turke). Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë, dhe veçanërisht Konti Leopold von Berchtold si Ministër i Jashtëm, këshillonte disa politikanë shqiptarë që të mos vonoheshin në shpalljen e një shteti shqiptar më vete. Firmosja për një shtet shqiptar të pavarur nga përfaqësues shqiptarë u bë i mundur vetëm në qytetin e Vlonës më 28 Nëndor 1912.
Bisedimet perandorake në Londër midis Lidhjes Entente (Britani, France, Rusi) dhe Boshtit Europian (Austro-Hungari, Gjermani, Itali) për të krijuar apo jo një shtet shqiptar u mbajtën më Dhjetor 1912 – Gusht 1913. Shtetet perandorake u përfaqësuan aty nga ambasadorë.
Nëse Lidhja Entente do kishte patur dorë të lirë nuk do ishte pranuar ndonjë copë shteti shqiptar. Mrekullia ndodhi kur krijimi i një Principate Shqiptare u firmos në Londër më 11 Gusht 1913. Lidhja Entente Britani-Francë-Rusi dhe dy pjellat e tyre Servi e Greqi nuk ia falën vetes krijimin e një Shqipërize. Që atëhere dhe pa ndërprerje, edhe tani, ata e sulmojnë Shqipërinë e trojet shqiptare me të gjitha mjetet, mënyrat, fuqitë, hapur e fshehtas.
Konti Leopold von Berchtold ministër i jashtëm i Austro-Hungarisë në vitet 1912-1915 ka një meritë të pazëvendësueshme. Sepse, pa këmbënguljen e tij gjatë bisedimeve në Londër për një shtet shqiptar europian perëndimor nuk do ishte krijuar shtet shqiptar, domethënë as kjo Shqipëri e sotme e krasitur deri në rrëzë. Konti Leopold von Berchtold meriton një shtatore më të madhe se sa e Presidentit amerikan Woodroë Wilson në një shesh ose kryqzim rrugësh në Tiranë.
Konferenca e Paqes në Paris u mbajt më 18 Janar 1919 – 21 Janar 1920. Aty, nëse Presidenti Woodrow Wilson do kishte pranuar çfar kishte gatuar Lidhja Entente me Italinë në Traktatin e Fshehtë të Londrës më 26 Prill 1915 duke përdorur kameleonin Esat Pashë Toptani, Shqipëriza që do lindte do ishte mish për hienat përqark për t’u ngrënë brenda vitit.
Për të vështruar pak gatimet politike gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër Dhjetor 1912 – Gusht 1913, më poshtë jepen përkthime nga Doktorata “Shqipëria Jugore, 1912-1923” e mbrojtur në Universitetin Stanford, ShBA, më 1926 nga Edith Pierpont Stickney. Ajo më pas u botua si libër me titullin: Southern Albania 1912 – 1923, Stanford University Press, 1926.
Në libër shkruhet edhe për të ashtuquajturën “Republikë Autonome e Epirit Verior” e cila ishte [dhe është] e pavlefshme ligjërisht e praktikisht sepse edhe sikur ata që e deshën të kenë qenë të krishterë ortodoksë (i quajnë “grekër”?!) vendas ata ishin më pak se 5% të popullsisë në jug të Shqipërisë.
Faqe 19 – Çështja shqiptare qe shkaku kryesor i Luftës I Ballkanike. … Kur më 1912 Shqipëria nëpërmjet një traktati me Turqinë u përkufizua si tokë që përmbante katër vilajetet e Shkodrës, Joninës, Manastirit e Kosovës, shtetet fqinjë vendosën ta kundërshtonin krijimin e një Shqipërie të madhe e cila shkelte mbi lakmitë e tyre. …. Për të kundërshtuar përpjekjen serbe të daljes në Detin Adriatik dhe për ta shpëtuar veten për të mos qenë plaçkë lufte, shqiptarët shpallën pavarësinë më 28 Nëndor 1912 në Valonë.
Faqe 20-21 – Fuqitë Europiane bënë të mundur armëpushimin midis Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi e Turqisë më 3 Dhjetor 1912. Greqia nuk e nënshkroi sepse furinë e ushtrisë e derdhi kundër kështjellës së Joninës. …. Takimi i parë i Konferencës së Ambasadorëve nën drejtimin e ministrit të jashtëm britanik Edward Grey mbajt në Londër më 18 Dhjetor 1912, ndërkohë që bisedimet paraprake i kishin dalluar animet politike të pjesëmarrësve.
Austro-Hungaria dhe Italia përkrahnin Shqipërinë dhe nuk qëndronin pa lëvizur. Më 5 Nëndor 1912, ambasadori austro-hungarez në Londër njoftonte ministrin e jashtëm të tij Kontin Berchtold: “Sot ministri Edward Grey tha se Shqipëria duhet të jetë autonome dhe mbetet të vendoset sa i madh do jetë ay territor”. Ambasadori italian në Cetinje i tha mbretit të Malit të Zi se formimi dhe autonomia e Shqipërisë përbëjnë themelin e politikës italiane.
Faqe 23 – Ministri i jashtëm italian San Gugliano pohoi se Italia dhe Austro-Hungaria zyrtarisht ia bënë më dije Greqisë se ato e kanë të pamundur të lejojnë që ajo të marrë Valonën dhe Sazanin….Në kërkesat e tyre kundrejt Greqisë për Valonën dhe Sazanin, Roma dhe Vjena morën mbështetjen e Berlinit.
Faqe 24 – Në kundërshtim me Aleancën e Trefishtë [Gjermani, Austro-Hungari, Itali], kryeministri francez dëshironte t’i shihte kufijtë e Shqipërisë mundësisht sa më të rrudhur. Pak para mbajtjes së takimit të parë të Konferencës së Ambasadorëve, të gjithë ishin në ujdi për autonominë dhe asnjanësinë e Shqipërisë.
Faqe 25 – Më 21 Dhjetor 1912 kryeministri francez Poincare u shpreh në Senatin francez se “…përcaktimi i regjimit dhe kufijve të Shqipërisë duhet të marrë parasysh dëshirat e grekërve, bullgarëve, serbëve dhe malazezve”.
Faqe 27-29 – Gjatë Janarit e Shkurtit 1913, vëmendja e Fuqive Europiane u përqendrua tek çështja e kufirit verior të Shqipërisë. … Konti Berchtold i pohoi ambasadorit italian në Vjenë Dukës së Avarnës se “qeveritë e Vjenës dhe Romës nuk mund ta pranojnë kufirin e vijëzuar nga qeveria greke sepse ajo dëshiron të shkëpusë nga Shqipëria toka që qeveritë tona i gjykojnë thelbësore për jetën e shtetit shqiptar”.
Në 6 Mars 1913 vëmendja u kthye tek çështja e kufijve jugorë dhe juglindorë për shkak të kapjes së kështjellës së Joninës nga ushtria greke. … Meqenëse Shqipëria dhe Maqedonia ishin plaçka e luftës e dëbimit të Turqisë nga zotërimet e saja në Europë, shtetet ballkanike këmbëngulën ta ndanin atë plaçkë lufte duke biseduar me Fuqitë e Mëdha për çështjen e përcaktimit të kufijve.
Faqe 30 – Më 30 Maj 1913 Bullgaria, Greqia, Mali i Zi, Servia dhe Turqia nënshkruan Traktatin e Londrës cili i jepte fund Luftës I Ballkanike. Neni 3 i atij Traktati shënonte se aleatët ballkanike dhe Turqia ia kalonin Fuqive të Mëdha “detyrën për të rregulluar kufijtë e Shqipërisë dhe çështjeve të tjera që lidheshin me Shqipërinë”. Meqenëse Maqedonia mbeti si një plaçkë për t’u grabitur, Lufta e II Ballkanike plasi pas një muaji e vazhdoi deri në dorëzimin e Bullgarisë me 31 Korrik 1913.
Faqe 31 – Ambasadori francez në Londër Paul Cambon këshilloi se ishuj në Detin Egje mund t’i kaloheshin Greqisë nëse asaj nuk i jepeshin rajonet e Korçës apo Gjinokastrës. Ministri britanik Edward Grey shprehej se nisur nga Kepi i Shtyllës (Stillos) një komision ndërkombtar të përcaktonte kufirin drejt Korçës.
Faqe 32 – Ministri i jashtëm francez Stephen Pichon kërkoi që fati i ishujve të Egjeut të mbyllej i pari dhe përsëriti se Korça t’i lihej Greqisë. Por Austro-Hungaria qëndroi e palëkundur në politikën e saj për një Shqipëri të madhe. … Prandaj më 3 Korrik 1913, Stephen Pichon i parashtroi ministrit të jashtëm italian Tommaso Tittoni se Austro-Hungaria dhe Italia duhej me kujdes ta pranonin idenë e ministrit britanik Edwaud Grey për një komision që do përcaktonte kufirin jugor duke e lënë Korçën dhe Gjinokastrën brenda Shqipërisë.
Faqe 33-34 – Më 11 Gusht 1913, Konferenca e Ambasadorëve dha udhëzimet për komisionin e kufirit jugor, i cili parashikohej të kryente punën më 1 Shtator – 30 Nëndor 1913. Për shembull: (1) Rajoni bregdetar deri në Ftelia, ishulli i Sazanit, rajoni i Korçës, bregu perëndimor dhe jugor i Liqenit të Ohrid t’i mbeteshin Shqipërisë. (2) Vija kufitare do caktohej mbi themele etnike (gjuha e popullatës) dhe gjeografike; komisioni nuk do llogariste zgjedhje apo shfaqe politike të krijuara. (2) Trupat greke të pushtimit duhej të largoheshin nga Shqipëria më e shumta një muaj pas përfundimit të punës së komisionit.
Më 12 Gusht, ministri Edwaud Grey u shpreh në Dhomën e Ulët të Kuvendit britanik se “nëse marrëveshja për Shqipërinë siguroi mirëkuptimin midis Fuqive të Mëdha domethënë se ajo ka qenë më thelbësorja për ruajtjen e paqes në Europë”.
Faqe 36 – Komisioni u mblodh në Manastir më 4 Tetor 1913 dhe nuk pranoi të shoqërohej nga zyrtarë civilë apo ushtarakë grekë e shqiptarë.
Faqe 38 – Komisioni filloi punën më 14 Tetor 1913 dhe ngeci 22 ditë në Ersekë. Sepse anëtaret e Aleancës së Trefishtë Gjermani-Austro-Hungari-Itali pohonin të vërtetën se ishte vend shqiptar, kurse anëtaret e Lidhjes Entente Britani-Francë-Rusi përdridheshin duke thënë se “ndonëse të vjetrit flasin Shqip, të rinjtë në shkolla, punë e ndjenja janë grekër”.
Faqe 40-41 – Më 17 Dhjetor 1913 Komisioni firmosi Protokollin në Firence në përfundim të punës së tij për kufirin greko-shqiptar; [siç është tani.] …. Pas dy muajsh gjashtë Fuqitë e Mëdha ia bënë me dije qeverisë greke se pothuaj tërë ishujt e Egjeut do i kalonin Greqisë me kusht nëse ushtria greke largohej nga tokat shqiptare të përcaktuara nga Protokolli i Firences dhe ajo të zotohej se nuk do kundërshtonte apo të nxiste kundërshti të çfardolloji për gjërat e vendosura nga Fuqitë e Mëdha në Shqipërinë jugore. Largimi i trupave greke duhej të fillonte më 1 Mars 1914 nga rajoni i Korçës e të përfundonte brenda 31 Marsit 1914 nga rajoni i Delvinës..
Faqe 43-45 – Shqipëria qeverisej nga Komisioni Ndërkombtar i Kontrollit me seli në Durrës. Më 2 Mars 1914, një “qeveri e përkohshme e Epirit autonom” e kryesuar nga Zografo e Karapano të ardhur nga Athena u duk në Gjinokastër. …. Më 9 Mars 1914, anijet greke hynë në Gjirin e Sarandës ku ishin kryengritësit. …. Kolonel Duli i ushtrisë greke mori komandën e kryengritësve …. Më 30 Mars 1914, trupat greke ishin akoma të pranishme në jug të Shqipërisë.
Faqe 46 – Letra e gjashtë fuqive Europiane drejtuar qeverisë greke më 24 Prill 1914 nxiti largimin e trupave greke nga Shqipëria brenda katër ditësh, domethënë pesë muaj më vonë seç qe vendosur fillimisht.
Faqe 47 – Në Prill 1914, “ushtria epirote” thuhej se kishte 5000 burra shumica e të cilëve patën qenë ushtarë të ushtrisë greke.
Faqe 49-50 – Bisedimet midis kryengritësve epirotë dhe Komisionit Ndërkombtar të Kontrollit i cili përfaqësonte Shqipërinë përfunduan me firmosjen e një marrëveshjeje në Korfuz më 17 Maj 1914. ….Nëse nuk arrihej marrëveshje, Austro-Hungaria dhe Italia kërcënuan të pushtonin Shqipërinë e jugut. ….Fuqitë e Mëdha e njohën atë marrëveshje më 18 Qershor dhe qeveria shqiptare më 23 Qershor 1914. Marrëveshja mirënjihte të drejtat e pakicës greke. Por para se ajo të fillonte të zbatohej, plasi Lufta I Botërore pas një muaji.