Kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e dytë stërvitore paraditen e kësaj të marte në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit kualifikuese ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për Kampionatin Europian, “Gjermani 2024”.
Në stërvitjen e djeshme ishin të pranishëm të gjithë lojtarët. Gjatë mbrëmjes të së hënës janë bashkuar me ekipin edhe futbollistët që nuk kishin mbërritur ende në grumbullim, Mario Mitaj, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Mirlind Daku dhe Jon Mersinaj.
Sa i përket seancës, ngarkesë të plotë ka marrë edhe mesfushori Kristjan Asllani, i cili në ditën e parë zhvilloi stërvitje i diferencuar nga grupi. Stërvitja e djeshme nisi me punën në palestër e më pas ushtrime force me pesha, si shtangë apo vegla të tjera që sillnin ngarkesë të lehtë në muskujt e lojtarëve.
Më pas, nën urdhrat e Silvinjos ekipi provoi disa situata të ndryshme loje, ku më së shumti u fokusua të goditjet standarte, nga të dyja krahët, ku futbollistët të ndarë në dy grupe, krosimet e Zabaletës, Dorivës apo edhe të katër lojtarëve që ishin thirrur nga ekipet e moshave, duhet të largoheshin sa më larg zonës menjëherë.
Në pjesën e dytë të seancës, Silvinjo nuk provoi diçka në lidhje me formacionin, pasi siç duket i ka idetë e qarta në kokë dhe pritet t’i besojë atij fitues.
Ndërkohë, seanca vijoi duke e ndarë ekipin në tre grupe me 7 lojtarë dhe lojë mes njëri-tjetrit, por pa vënë në punë Strakoshën, Berishën apo Kastratin, të cilët po punonin veçmas me trajnerin Ilir Bozhiqi.
Seanca e fundit stërvitore do të zhvillohet sot, ndërsa ajo zyrtare ditën e nesërme në Moldavi, në stadiumin “Zimbru”, me kapacitet 10.500 vendesh, ku do të luhet edhe takimi i së premtes në orën 18:00.