Ish-kryeministri Sali Berisha duhet të paraqitet ditën e nesërme (të Hënë) përpara oficeres së Policisë Gjyqësore, sipas masës së lënë në fuqi nga GJKKO, me “detyrim paraqitje”.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, për shtetasin Sali Berisha, duhet të paraqitet përpara autoriteteve dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë të muajit.
Por vetë Berisha, në daljet e tij publike e ka quajtur vendimin si antikushtetues, duke lënë të nënkuptohet se nuk do ta zbatojë. Ai pretendon se si deputet me imunitet, i është shkelur e drejta kushtetuese e lirisë së lëvizjes.
Por çfarë ndodh nëse Berisha nuk paraqitet para SPAK?
Nuk përjashtohet mundësia që GJKKO të ndryshojë masën, duke kërkuar një masë më të fortë, siç mund të jetë ajo e shoqërimit të detyruar.
“Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale.