Nëna 30-vjeçare, e cila lindi foshnjen e saj në një bodrum të një pallati në Yzberisht, rrezikon nga 3-10 vite burg, pasi e braktisi atë dhe fatkeqësisht, foshnja ndërroi jetë.

Gazetari i ABC News, Ervin Leka raporton se në dëshminë e saj, ajo deklaroi se ka pasur turp që të mbante një fëmijë duke qenë e pamartuar dhe jetonte në kushte të mjerueshme.

Sipas kamerave të sigurisë në zonën ku braktisi fëmijën, shihet se 30-vjeçarja ka vepruar e vetme, megjithatë vijojnë ende hetimet.

“Deklaratat e saj janë dhënë ditën e sotme, ajo ka pasur turp që të bënte një lindje duke qenë e pa martuar dhe jetonte në kushte të mjerueshme. Kanë qenë kamerat e sigurisë që e kanë kapur dhe është bërë identifikimi. Nga ana e grupit hetimor kemi marrë detaje, sipas kamerave të sigurisë, e kanë kapur zonjën 30-vjeçare të vetme, e cila hyn, më pas kryen lindjen, dhe pas disa orësh del nga bodrumi i pallatit. Dyshohet se ajo ka vepruar e vetme, megjithatë vijojnë hetimet nëse ajo është ndihmuar apo është shtyrë nga perona të tjerë që të bëjë lindjen e fëmijës dhe më pas ta braktisë.

Ditën e sotme i është komunikuar edhe masa e arrestit pasi akuzohet për veprën penale të braktisjes së fëmijës, që në rrethana të lehtë, parashikohet gjobë deri në 3 vite burg. Ndërsa në rrethana rënduese, siç është ajo e dëmtimit të rëndë të fëmijës, apo të shkaktimit të vdekjes, parashikohet një dënim nga 3 deri në 10 vite burg. Pritet që prokuroria të dalë edhe me një njoftim akuzën që do t’i komunikohet 30-vjeçares”, raportoi gazetari i ABC News, Ervin Leka.