Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike zyrtare, Indrit Sefa ishte këtë të martë në një intervistë për Euronews Albania ku tha se nëse grupimi i Bardhit nuk ka asgjë për të fshehur atëherë duhet të sjellë dokumentacionin në procesin gjyqësor, e jo ta shmangin atë.

Ai tha se gjithçka që i është kërkuar grupit Bardhi është dokumentacioni që vërteton se Këshilli Kombëtar është mbledhur online, si dhe rregulloren ku janë bazuar për ta mbledhur online këshillin kombëtar.

“Ne kemi kërkuar palës që të sjellë të gjithë dokumentacionin ligjor që kjo mbledhje imagjinare online e këshillit kombëtar është kryer. Nuk ka asnjë dokument që kjo mbledhje është kryer. Nuk kemi asnjë provë që është kryer.

Gjithashtu pretendohet se ka një rregullore që e lejon Këshillin Kombëtar të mblidhet online. Ne e kërkojmë këtë rregullore, ku është kjo pikë që e lejon. Nuk ekziston neni 9 pika 7, neni 9 ka 6 pika.

Ne kemi kërkuar që të paraqesin dokumentacionin ligjor që disponojnë. Nëse ata e kanë dokumentacionin ligjor, unë nuk e kuptoj përse e mbajnë të fshehtë. Ne i çuam të gjitha në procesin gjyqësor”,-tha avokati Sefa.