Sokol Cikalleshi është bërë sot përsëri protagonist me gol në kampionatin turk, teksa ka ndihmuar ekipin e Koniaspor që të siguronte një barazim me Karagumruk dhe t’i jepte fund serisë prej 4 ndeshjesh me humbje radhazi.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka shënuar sot golin e tij të katërt të sezonit në kampionatin turk, teksa e ka bërë këtë në mënyrë dramatike në minutën e fundit shtesë të takimit, me një penallti të transformuar me “Panenka”.
Cikalleshi u tregua gjakftohtë para portës duke çuar topin në rrjetë për të vulosur barazimin 1-1 kur regjistrohej minuta e 7 shtesë e takimit, për të marrë këtë pikë shumë të rëndësishme për moralin te Koniaspor që e ka nisur sezonin keq dhe për momentin gjendet pranë zonës së ftohtë të klasifikimit.