Dy muaj e gjysmë në riaftësim për Vinicius Junior, i dëmtuar në grumbullimin me Brazilin. Anësori i Real Madrid do të kthehet në fushë vetëm në janar 2024. Janë konfirmuar përshtypjet e këqija që ka lënë fytyra e vrenjtur e Vinicius Junior pas lëndimit me kombëtaren.

Dëmtimi i muskujve të pësuar në përballjen me Kolumbinë nga anësori i Real Madrid dhe Brazili është mjaft i rëndë. Këtë e ka bërë të ditur vetë Real Madridi në një njoftim.”Vinicius do të duhet të qëndrojë larg fushave të lojës për disa kohë”.

Është një lajm që prek drejtpërdrejt edhe ndeshjen kundër Napolit, kundërshtarin e radhës të skuadrës së Carlo Ancelottit në grupet e Champions League. Dy skuadrat do të përballen të mërkurën më 29 nëntor në “Santiago Bernabeu”.

Vazhdojnë kështu problemet e Real Madrid me dëmtimet. Trajneri Ancelotti nuk ka në dispozicion një listë të gjatë yjesh: Vinicius, Tchouameni, Camavinga, Bellingham, Militao, Arda, Courtois, Kepa.