Është momenti për t’i dhënë fund një karriere të gjatë plot ulje-ngritje. Royston Drenthe “var këpucët në gozhdë”.

Kjo është bërë e ditur në llogarinë e tij në Instagram. Futbollisti holandez, dikur pjesë e Realit të Madridit, e mbyll karrierën në moshën 36-vjeçare pasi luajti për 18 vite mes Holandës, Spanjës, Rusisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Anglisë dhe Turqisë.
Drenthe mori famë në vitin 2007, kur nënshkroi për Realin e Madridit. Ai luajti 46 ndeshje me ekipin e parë përpara se të largohej nga klubi madrilen.

Mbrojtësi holandez, i cili në atë kohë etiketohej si pasuesi i Roberto Carlosit, nuk heziton të pranojë se kur nënshkroi për “Los Blancos” në moshën 20-vjeçare nuk ishte në dijeni realitetit që e priste.
Para se të përfundonte kontratën me Realin e Madridit, Drenthe (doli nga akademia e të rinjve të Feyenoordit) shkoi te Hercules dhe Everton në huazim. Më pas, ai filloi një udhëtim që e çoi në vende si Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në vitin 2016 kaloi pothuajse dy vjet pa luajtur. Baniyas i Emirateve të Bashkuara Arabe ishte klubi i tij i fundit. Por ai u kthye për të luajtur në Kategorinë e Dytë Holandeze me Spartën e Rotterdamit, një ekip historik.
Më pas do të përfundonte te Racing de Murcia, Real Murcia… dhe do ta nbyllte me Kozakken Boys në divizionin e tretë holandez.