Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë vendimet në bazë të javës së fundit të zhvilluar në futbollin shqiptar. Apolonia, për mos marrjen e masave të duhura, aty ku u godit me stol arbitri Blerim Ziri, është dënuar me gjobë, e cila do aplikohet në masën 50 përqind. Nga ana tjetër, Vora është dënuar edhe me katër ndeshje pa tifozë, veç gjobës. Dënime edhe në Kategorinë e Dytë te Veleçiku, teksa me katër ndeshje për shkak të dhunës është dënuar edhe futbollisti i Flamurtarit, De Oliveira.

Vendimet e plota:

FK Apolonia, për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes, në bazë të neneve 17/1/b, 17/1/c dhe 17/1/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

KF Vora, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, duke shkaktuar dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe duke hyrë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes, në bazë të neneve 3/b, 17/2/a, 17/2/b, 17/2/f, 17/2/h dhe 35 të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Lojtari i Flamurtari FC, Souza De Oliveira Odaildo, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Lojtari i KSSH Veleçiku, Besard Cokaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Lojtari i KSSH Veleçiku, Redmir Lopci, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Rrëzimin e kërkesës së zyrtarit të FC Lushnja, Marius Sula, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.

Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Iliria, Gojardo Xeka, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.

Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Besëlidhja, Klejdi Dibra, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.