Në Ditën Botërore të Diabetit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi Qendrën Shëndetësore të Vorës, e cila i shërben një popullate prej afro 30 mijë banorësh.
“Si Ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, jemi duke punuar jo vetëm për përmirësimin e kushteve të infrastrukturës, por edhe për fuqizimin e qendrave tona shëndetësore me mjekë specializantë. Kjo Qendër Shëndetësore ka në përbërjen e saj edhe mjek endokrinolog cili konstaton dhe vlerëson ecurinë e të prekurve nga diabeti”, – është shprehur ministrja Koçiu.
Ministrja nënvizoi se “në të gjitha qendrat shëndetësore MSHMS ka mbështetur me fisha diabeti falas afro 48 mijë qytetarë përgjatë vitit 2023”.
“ Kjo mbështetje do të vijojë edhe me buxhetin e vitit 2024, duke ofruar më shumë kujdes për të gjithë ata pacientë që u nevojitet ekzaminimi në vazhdimësi lidhur me nivelin e tyre të sheqerit në gjak”, deklaroi ministrja Koçiu.
Sipas të dhënave të ekspertëve të shëndetësisë, në mbarë botën, 1 në 10 të rritur ose afërsisht 537 milionë njerëz jetojnë me diabet, por pothuajse gjysma nuk e dinë që vuajnë nga kjo sëmundje.
Numri i të prekurve nga diabeti po rritet me hapa shumë të shpejtë edhe në vendin tonë, me prevalenca 10.1 % të popullatës, e ngjashme dhe me vendet e tjera të rajonit. Me hapa po kaq të shpejtë po rritet dhe Prediabeti, me një prevalencë 12.5%.
Aktualisht rimbursohen rreth 17 mijë fisha diabeti në muaj për fëmijët e të rinjtë deri në 25 vjeç dhe të moshuarit mbi 65 vjeç.