Është kohë feste, por edhe kohë… listash. Natyrisht, shqiptarët janë të fokusuar te kualifikimi i jashtëzakonshëm i Shqipërisë për herë të dytë në Europian, madje këtë herë duke shpresuar ta mbyllim të parët në grup si kurrë më parë. Por pas ndeshjes së sotme do të flitet për dy gjëra më së shumti: shortin, pra për skuadrat kundërshtare, që do të na rezervojnë goglat më 2 dhjetor, dhe për listën e lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Gjermanisë.

Fjalia disi e pafajshme e Silvinjos që “70% e grupit do të jetë e njëjta”, natyrisht nuk mund të kalojë pa vëmendje nga futbollistët në radhë të parë, e mandej nga familjarët e tyre.

DISKUTIM “LUKSI”

Një pjesë e atyre që lexojnë këta rreshta me shumë mundësi thonë: “Eh, ka kohë deri në qershor”. Dhe në fakt ka goxha kohë deri atëherë. Shumë gjëra mund të ndryshojnë deri para Europianit, jo vetëm për preferencat dhe idetë që ka në kokë Silvinjo me stafin e tij, por edhe për shkak të të papriturave (dëmtime të paparashikuara). Për këtë arsye është e vështirë të bësh një projeksion të atyre që mund të humbin “biletën” për në Gjermani, edhe pse deri tani mund të jenë thirrur ose edhe kanë luajtur nën urdhrat e Silvinjos.

“TË PAPREKSHMIT”

Kështu si janë gjërat tani të paktën, mund të flitet vetëm për ata që pothuajse e kanë të sigurt emrin në listën e 24 lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Gjermanisë. Në portë Berisha me Strakoshën i kanë kuotat në rregull për të qenë aty. Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj mbeten gjithashtu të padiskutueshëm në këtë moment.

Për shumë arsye, mbi të gjitha për rendimentin, përvojën dhe pozicionin që kanë. Balliu gjithashtu ka shanse të mëdha, sepse është alternativa e vetme e Hysajt, mandej edhe këtij të fundit mund t’i duhet të zëvendësojë ndonjëherë Mitajn në rast emergjence.

Në mesfushë pothuajse të padiskutueshëm janë Asllani, Ramadani, Bajrami dhe Asani. Pjesa tjetër do të varet nga shumë faktorë, por mbi të gjitha nga forma që do të kenë në fund të sezonit.

Konkurrenca është e frikshme sepse po flasim për lojtarë si Gjasula, Bare dhe Laçi, që kanë cilësi dhe përvojë në radhët e kuqezinjve. Por janë edhe Muja e Mehmeti të rinj shpërthyes.

SULMI

Këtu po është një dhimbje koke e madhe për të gjithë. Duke i bërë llogaritë me formën që kanë sot, por duke shtuar edhe Brojën si kandidat të rëndësishëm për të qenë në atë listë, atëherë është një “quitz” që vetëm Silvinjo do t’i japë zgjidhje.

Vështroni: Cikalleshi, Daku, Seferi, Broja, Muçi… Dikush ka moshën dhe cilësitë, dikush ka kontributin dhe disiplinën taktike dhe disa të tjerë përshtatjen në disa role.

Këtu po që do të ketë zgjedhje “të dhimbshme”. Ngushëllimi i vetëm është që nuk do të ketë më largime përfundimtare si Rashica dhe Rrahmani, që për fatin tonë të mirë sot janë në gjysmën tjetër të Shqipërisë.

De Biazi u kryqëzua jo pak për ata që mori dhe ata që la jashtë në 2016- ën. Silvinjo nuk do ta ketë të thjeshtë, por ka treguar se di të bëjë më mirë…