Nga Jakin Marena

Për të kuptuar standardet e ndryshme në qasjen ndaj shtetit dhe menaxhimit të organeve ligjzbatuese mes ish kryeministrir Sali Berisha dhe kreut aktual të qeverisë Edi Rama, mjafton të bëjmë një analizë të thjeshtë të zhvillimeve të ditës së hënë në Kuvendin e Shqipërisë.

Deputetët e “Foltores”, tashmë nuk përdorim më emërtesën ‘grupimi i Bardhit’ sepse janë shkrirë me ithtarët e Berishës në një ‘trupë’ të vetme që operon si grup paramiltar, të gjithë të dirigjuar nga Berisha, ishin ngritur dhe këtë mëngjes herët për të shkuar në sallën e Kuvendit.

Kishte seancë plenare për miratimin e buxhetit të shtetit 2024 dhe paketën fiskale, ngjarja më e rëndësishme e vitit për një vend normal me opozitë normale, ‘sheshbeteja’ ku opozita tenton të bëjë diferencën me kritikat ndaj mënyrës se si do të përdoren paratë në shërbim të qytetarëve dhe alternativën se si e mendon pakica të bëhet kjo gjë.

Por, në kushtet kur s’kemi opozitë që të aspirojë pushtet, po një trupë kamikazësh që po përdoren si mburojë për hallin që ka Berisha me SPAK, i vënë nën akuzë për korrupsion pasiv për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” dhe në pritje të akuzave akoma më të rënda për vrasjet më 21 janar 2011 të katër protestuesve të opozitës së atëhershme nga Garda e Republikës, deputetët e “Foltores” kishte axhendë tjetër këtë të hënë.

Të udhëhequr nga ish kryeministri demokrat, deputetët mbështetës të tij u ngritën në pikë të sabahut me skenarin e gatshëm tashmë për të krijuar rrëmujë e kaos në seancën parlamentare dhe për të bllokuar miratimin e buxhetit të shtetit. I cili nuk është për qeverinë, por është për qytetarët shqiptarë, të cilët përfitojnë nga shpërndarja e mirë dhe e drejtë e tij. Përfitojnë dhe nga madhësia e këtij buxheti, pasi përkthehet me më shumë shërbime e me më shumë investime.

Por Berisha s’ka hallin e qytetarëve, asnjëherë nuk e ka pasur këtë hall. Halli i vetëm i tij është që të mbrohet nga drejtësia me të gjitha mjetet, teksa dhëndërin e ka në burg për pastrim parash në ish kompleksin “Partizani’ i favorizuar nga vjehrri kryeministër asokohe, ndërsa vetë Berisha është i kërcënuar nga masa e ‘arrestit me burg’, për një serë akuzash. Por dhe djali i tij Shkelzen është në rrugën e marrjes nën hetim për “Gërdecin’. Pra familjarisht Berisha është një ‘bujtës’ në SPAK.

Në seancën e sotme ndodhi ajo që ndodhi. Pavarësisht kontrolleve të rrepta nga aga e Gardës për të gjithë deputetët, kamikazët e Berishës ia dolën që të fusnin tymuese dhe elementë të tjerë me të cilën pajisen ‘piromanët’ e rëndomtë në sallën e parlamentit, duke i ndezur ato. Madje i vunë flakën dhe tavolinës së kundërshtarit politik të Berishës brenda partisë, vetë kreut të PD zyrtare Lulzim Basha. Duke treguar se inatin më të madh e kanë me Bashën, njeriun i cili bëri atë që nuk kishte arritur ta bëjë asnjë politikan deri më sot në Shqipëri: E përjashtoi Berishën ‘fishek’ nga grupi parlamentar e nga vetë PD, dhe për më tepër e la rrugëve në këtë moshë, në pleqëri të thellë.

Nga ana tjetër, ithtarët e Berishës thyen karriget, u përplasën me Gardën e cila po kryente detyrën e saj, që të ruajë rendin dhe qetësinë në sallë, ndërsa vetë Berisha u kthye në një të ‘dërguar’ të medias në sallën e Kuvendit, duke folur live përmes tij të facebookut, ku në fokus ka pasur si gjithnjë sulmet ndaj qeverisë, Edi Ramës dhe mbi të gjitha sulmet ndaj Prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm. Të cilët kanë në dorë dosjet e tij të krimit dhe të abuzimit me pushtetin. Këtë kaos në Kuvend e shkaktoi pikërisht në kohën kur duhej të paraqitej vetë Berisha në Gjykatë sipas vendimit për ‘detyrim paraqitje’, duke ia bërë ‘hyzmetin’ fort me këtë refuzim, marrjes së një mase akoma më të ashpër ndaj tij, atë të arrestit. Në shtëpi apo në qeli, si ta gjykojë drejtësia e re.

Ndërkohë që mazhoranca, miratoi me 83 vota pro buxhetin e vitit 2024 dhe paketën fiskale, pavarësisht tensionit të krijuar nga deputetët e Berishës dhe vetë ai në mënyrë të vazhdueshme. Kaloi për herë të parë buxheti pa debat, pasi për herë të parë ka një lëvizje të tillë të opozitës, që me të gjitha mënyrat u përpoq për të bllokuar punimet e Kuvendit. Sidomos përmes dhunës.

Mund të themi se votimi i sotëm që pason votimet e mëhershme në Kuvend dhe në komisionet parlamentare është dhe një ‘provë gjenerale’ se si do të votohet kërkesa e SPAK ndaj Kuvendit dhe për lejen që mund të kërkojë në fillim të dhjetorit për një masë më të ashpër ndaj Berishës. Pra leja për ta arrestuar, një veprim që të gjithë shqiptarët, duket se e presin me shumë dëshirë, për shkak të zullumeve që ka kryer në 32 vite që ka qënë në kupolën politike. E thonë të gjitha sondazhet këtë, nuk e themi ne.

Shqiptarët nuk janë budallenj që të mos dallojnë dy standardet që manifestohen në sjelljen ndaj drejtësisë së re mes Berishës dhe deputetëve të tij dhe përfaqësuesve të mazhorancës. E themi këtë sepse Berisha ka gati një muaj që ka mbetur në ekrane, në mes të tymit në Parlament e deri i mbyllur në banjën e selisë apo shtëpisë, për të kundërshtuar vajtjen në gjykatë sipas masës së sigurisë detyrim paraqitje, ndërkohë që ish ministri socialist Ilir Beqaj, pavarësisht se ka rezerva për masën e sigurisë dhe akuzat, sot ka shkuar e është paraqitur në gjykatë. Pa u matur dy herë.

Meqë jemi tek standardet e ndryshme të qasjes ndaj organeve ligjzbatuese mes qeverisjes së Berishës dhe qeverisjes socialiste të drejtuar nga Rama, ajo që na ka bërë përshtypje, besojmë dhe qytetarëve shqiptarë të cilët mund të kenë ndjekur seancën e ditës së hënë, ku opozita krijoi sërish kaos me tymuese e deri duke qëlluar me mjete piroteknike në drejtim të kryeministrit e minitrave që po largoheshin nga salla pas votimit të buxhetit, ishte qëndrimi ndaj Gardës së Republikës.

Duhet të sqarojmë në krye të herës që kemi të njejtën Gardë, që funksionon me të njejtin ligj në punën e saj. Janë ndryshuar vetëm drejtuesit madhorë. Kuptohet është dhe një kryeministër tjetër nga koha e Berishës, Edi Rama dhe Ministria e Brendshme ka pasur që nga viti 2013 ministrat respektivë socialistë në krye. Pra kanë ndryshuar vetëm drejtuesit, ata që japin urdhëra, ndërsa pjesa tjetër është e njëjta, deri te gardisti më i thjeshtë.

Skenat me sulme të deputetëve të Berishës ndaj punonjësve të Gardës në sallën e Kuvendit kanë bërë xhiron e rrjetit. Dhe mes këtyre deputetëve ithtarë të Berishës këtë të hënë u shqua Gaz Bardhi. I cili nuk u mjaftua me shtyrjen dhe futjen e duarve në fut ndaj punonjësve të Gardës, është trimëruar dhe Gazi ndoshta duke parë Flamur Nokën dhe në tjerët, por nga një distancë e afërt nuk mungoi të hidhte dhe një karrige në drejtim të një gardisti.

Dhe nëse kolegu i tij dhe ‘bashkëluftëtar’ në këtë dhunë Ervin Salianji disa javë më parë nuk arriti të godiste në “shenjë” me karrige gardistin, këtë radhë Bardhi e korrigjoi ‘shënjestrën’ e goditi me karrige një nga gardistët që po kryente detyrën në sallën e Kuvendi. I theu krahun gardistit, duke realizuar një dhunë të pastër ndaj organeve të sigurisë së Kuvendit.

Ajo që mund të evidentojmë në këtë rast dhune të pastër, është fakti se deputetët e Berishës e kanë kuptuar gabim ligjin që deputeti nuk mban përgjegjësi për atë që bën në Parlament. Duke kaluar në një fazë të ashpër dhe të palejueshme, në atë që deputeti bëhet i papërgjegjshëm, madje dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me pasoja fizike për ata që dhunohen prej tyre. Deputeti mund të thotë gjithçka në Kuvend, por në mënyrë verbale, pra me gojë pa lëvizur duart. E thënë më saktë, pa ‘armë të ftohta’ dhe mjetet e tjera që mund të shkaktojnë probleme fizike e deri në marrje jete ndaj kundërshtarëve politikë dhe mbi të gjitha ndaj forcave të sigurisë.

Duke i uruar shërim të shpejtojë gardistit të plagosur, dhe duke uruar që të mos ketë pasoja në të ardhmen për ushtrimin e detyrës së tij dhe punës së tij kjo thyerje krahu, ajo që mund të veçojmë është mënyra e sjelljes së Gardës së Republikës nën qeverisjen e Berishës dhe tani në kohën e qeverisjes së Edi Ramës,

Askush nuk mund ta harrojë 21 janarin 2011, ku nga pumbat në ‘mish’ të Gardës së Republikës, në mes të bulevardit përballë kryeministrisë u vranë 4 demonstrues të pafajshëm të opozitës së atëhershme, të cilët ishin në shpërndarje e sipër. Askush nuk e harron fytyrën e Berishës në atë kohë kryeministër në dritaren e katit të dytë të godinës së kryeministrisë, i cili po vështronte demonstruesit që protestonin kundër tij. Dhe po të qëndronte duke i vështruar nuk do kishim sot katër viktima nga plumbat e Gardës, të cilat kërkojnë drejtësi.

Sipas zinxhirit të komandimit të Gardës kur është titullari brenda institucionit është ‘dora e parë’ e dhënies së urdhërit për të qëlluar me plumba të vërtetë mbi turmën, “dora e dytë’ është ministri i Brendshëm që merr urdhërin nga eprori dhe e përcjell poshtë tek komandanti i Gardës dhe më pas sipas shkallës së komandimit deri tek gardisti i thjeshtë që qëlloi më 21 janar 2011 mbi demonstruesit. Pra Berisha urdhëroi Gardën të vriste njerëz që protestonin kundër tij. Të cilët po shpërndaheshin për hir të së vërtetës.

Themi se ka qënë urdhërdhënës Berisha, jo vetëm sepse e ka pranuar vetë më pas kur deklaroi disa herë se kishte vënë snajperë që do të qëllonin në kokë Edi Ramën asokohe kreu i opozitës, dhe këdo që kalonte gardhin, dhe 3 mijë vetë të ishin do t’i vriste, por dhe pse pikërisht këtë fakt evidenton dhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut për rastin e Aleks Nikës, teksa kërkoi hetim me themel të ’21 janarit’ dhe vënien para përgjegjësisë të urdhërdhënësve dhe jo të gardistëve të thjeshtë që kishin zbatuar urdhërin. Vetëm emrin nuk i përmendi Berishës në vendim.

Pra në kohën e qeverisjes së Berishës, me urdhër të tij Garda e Republikës të vriste, pa bërë dallim protestues dhe këdo që i afrohej ‘kullës’ se marrë me ‘qira’ nga ai në atë kohë, godinës së kryeministrisë. Nuk të ‘falte’ Berisha, madje e pranonte me krenari një gjë të tillë, duke thënë se kishte urdhëruar dhe ngjitjen në tarracë të 5 snajperëve që të vrisnin Edi Ramën sapo të afrohej.

Ndërsa nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, Garda jo vetëm që nuk merr urdhër për të vrarë protestues, të thjeshtë apo të ‘kalibrit’ të lartë siç janë kreu i një pjese të opozitës si Sali Berisha dhe deputetët ithtarë të tij, por duron dhe të dhunohet prej këtyre përfaqësuesve të “Foltores”. Duke qëndruar me duar prapa shpinës. Rasti i thyersjes së krahut të gardistit këtë të hënë, nga sulmi i Gaz Bardhit me karrige, tregon më së miri dy standardet e ndryshme të qeverisjes në kohën e Berishës dhe në atë të Ramës. Ndryshojnë si nata me ditën. Berisha vriste kur ishte kryeministër, ndërsa tani ankohet për dhunë, pse Garda qetësisht tenton ta pengojë vetë Berishën për të ushtruar dhunët dhe për t’i vënë flakën parlamentit.

Për këtë arsye qytetarët nuk e votojnë Berishën, e nuk kanë për ta votuar opozitën kurrë, sa kohë që ai të drejtojë grupimin më të madh të saj. Arsyeja është e thjeshtë: Berisha të vret dhe këtë e ka treguar sidomos me vrasjet më 21 janar 2011. Vetëm për këtë arsye nuk e votojnë qytetarët, pa përmendur arsyet e tjera. E drejta për jetën prevalon të gjitha të drejtat e tjera. Ndaj votohet Rama, që edhe pse në vitin 2019 u sulmuan institucionet, dhe pse u plagos dhe një police në atë kohë me kapsollë, edhe pse tani po goditen punonjësit e Gardës nga ana e deputetëve, duke u shkaktuar deri fraktura, nuk e mendon kurrë që të urdhërojë dhunë ndaj kundërshtarëve politikë. Ndërsa për të vrarë as që bëhet fjalë. Këto janë standardet që bëjnë dallimin mes Ramës dhe Berishës, që vijon në pafundësi me PS në pushtet dhe grupimet e PD në opozitë.