Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema në të njëjtën skuadër, për më tepër sërish në Evropë. Pasi fituan gjithçka me Real Madrid, dy yjet e futbollit botëror, mund të ribashkohen sërish, por këtë herë për të luajtur së bashku në Premier League te klubi i Newscatle. Ashtu siç dihet, “qymyrxhinjtë” janë në pronësi të sheikëve saudit, dhe rregullorja e futbollit anglez i lejon klubet që janë në të njëjtën pronësi të huazojnë lojtarë. Al-Ittihad ku luan Benzema dhe Al-Nassr ku luan Ronaldo janë në pronësi të familjes mbretërore, të njëjtën që drejtojnë edhe klubin e Newcastle.

Për momentin, drejtuesit e klubit të Newcastle kanë prioritet të gjejnë një zëvendësues për Sandro Tonalin i cili është i pezulluar pas skandalit të basteve, për të zëvendësuar italianin do të marrin Ruben Neves nga Al-Hilal. Në janar, kur të hapet merkato, Ronaldo dhe Benzema mund të kenë shansin të rikthehen edhe një herë në futbollin e rëndësishëm Evropian, e sigurt është që nuk do të ishin kundër një huazimi të tillë.

Klubet angleze kërkuan një mocion për të rrëzuar këtë rregull, por nuk siguruan 2/3 e votave, 13 klube votuan kundër, por duheshin 14, duke lënë në fuqi rregullin e huazimit të lojtarëve që janë në të njëjtën pronësi.