FBI sekuestroi pajisjet elektronike të kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, si pjesë e një hetimi federal.
Zyra e kryetarit të bashkisë konfirmoi se konfiskimi ndodhi të hënën. Kryebashkiaku ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje.
“Si një ish-anëtar i zbatimit të ligjit, pres që të gjithë anëtarët e stafit tim të ndjekin ligjin dhe të bashkëpunojnë plotësisht me çdo lloj hetimi – dhe unë do të vazhdoj të bëj pikërisht këtë. Nuk kam asgjë për të fshehur,” tha Adams në një deklaratë.
Prokurorët federalë në Distriktin Jugor të Nju Jorkut nuk pranuan të komentojnë.
FBI ka kontrolluar më parë shtëpinë e Brianna Suggs, mbledhësja kryesore e fondeve të Adams. Hetimi kërkon të përcaktojë nëse fushata e kryebashkiakut merr donacione të huaja të paligjshme nga Turqia me një kompani ndërtimi në Brooklyn, siç mediat e huaja thonë.
Boyd Johnson, avokat i fushatës për Adams, tha se u zbulua se një individ së fundmi po vepronte në mënyrë të pahijshme dhe ai e denoncuan rastin.
“Në frymën e transparencës dhe bashkëpunimit, kjo sjellje u raportua menjëherë për t’u hetuar. Kryetari i Bashkisë ka qenë dhe mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar në këtë çështje. Të hënën mbrëma FBI iu drejtua kryetarit dhe ai iu bind menjëherë kërkesës së FBI-së për t’i dorëzuar të gjitha pajisjet elektronike. Kryebashkiaku nuk është akuzuar për ndonjë shkelje dhe vazhdon të bashkëpunojë me hetimin”, tha Johnson në një deklaratë.