Fidel Castro, lideri revolucionar i Kubës, i cili e ka udhëhequr këtë ishull me regjim komunist për afro gjysmë shekulli ka vdekur në moshën 90-vjeçare me 16 nëntor 2016.
Fidel Castro vdiq nga një sëmundje serioze e paspecifikuar, ishte tërhequr në korrik të vitit 2006, e pastaj në mënyrë formale pushtetin ia ka kaluar të vëllait, Raul Castro, në vitin 2008. Për 47 vjet, Fidel Castro e ka udhëhequr këtë ishull si shtet me një parti. Në vitet e fundit, ai ka shkruar kolumne për mediat shtetërore, por rrallëherë është paraqitur publikisht. Në muajin prill të këtij viti e bëri paraqitjen e tij më të gjërë publike për vite të tëra, në ditën përfundimtare të Kongresit të Partisë Komuniste të Kubës.
“Së shpejti, unë do të jem si të tjerët. Vjen koha për të gjithë ne, por idetë e komunistëve kubanë do të mbesin si provë se në këtë planet, nëse dikush punon me entuziazëm dhe dinjitet, atëherë ai mund të prodhojë të mira materiale dhe kulturore, që i duhen njerëzimit dhe për këtë duhet të luftohet duke mos u dorëzuar kurrë”, tha Fidel Castro. Babai i revolucionit kuban udhëhoqi vendin për 49 vite (1959-2008). Disa njerëz e shihnin Kastron si një diktator të patrembur dhe një komunist edhe më të ashpër se sovjetikët. Ndërsa të tjerët e kishin cilësuar si një çlirimtar dhe dikush që besonte në barazinë sociale. Castro u bë shumë i njohur në mbarë botën gjatë Luftës së Ftohtë, veçanërisht gjatë krizës së raketave Kubane. Si komunist, ai u përpoq të qëndronte pranë sovjetikëve gjatë Luftës së Ftohtë, por nuk i besoi askujt, kjo është një nga arsyet që ai i mbijetoi shumë atentateve nga shumë parti të ndryshme, por kryesisht nga CIA.
ARMIKU I AMERIKËS
Fidel Kastro konsiderohet si njeriu më i ndjekur në histori, jo vetëm për tiraninë e tij, por edhe për shkak të karakterit të tij si lider, të cilin shumë kombe (përfshirë Shtetet e Bashkuara) e kishin cilësuar si manipulues. Ky njeri në fakt mban rekordin botëror “Guinness” për fjalimin më të gjatë të mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, më 26 shtator 1960. Fjalimi zgjati 4 orë e 29 minuta sipas OKB-së. Kjo shënoi fillimin e atentateve, ku shumica e tyre drejtoheshin nga CIA. Duke parë që OKB-ja kishte mjaft interes për Kastron gjatë Luftës së Ftohtë, e bëri Amerikën paksa të pasigurt për ndikimin që Castro mund të kishte në pjesën tjetër të botës ose të paktën në Europën Perëndimore, kështu që ai duhej të zhdukej sa më pare.
Nga viti 1962, kur ndodhi kriza e raketave Kubane, Bashkimi Sovjetik pati në një përplasje politike dhe ushtarake që zgjati 13 ditë me Shtetet e Bashkuara mbi vendosjen e raketave bërthamore në Kubë në përgjigje të vendosjes së raketave bërthamore nga Shtetet e Bashkuara në Turqi. Amerikanët e panë që komunizmi po përhapej në atdheun e tyre dhe madje miqësia me Bashkimin Sovjetik nuk ishte diçka pozitive. Përpjekjet u përkeqësuan edhe më shumë pas 22 nëntorit 1963, kur John F. Kenedy u vra. Në atë kohë, besohej se Lee Harvey Osëald, njeriu që vrau JFK-në ishte punësuar nga Castro ose se vrasësi i vërtetë ishte një agjent i dërguar nga Kuba në përgjigje të tentativave të mëparshme për vrasjen e Kastros. Është mjaft interesante se në të njëjtën ditë kur JFK u vra, ndodhi një tjetër tentativë për të vrarë Kastron. Një agjent nga CIA shkoi në Kubë dhe i dha Kastros një stilolaps që përmbante toksina vdekjeprurëse që në momentin kur ai do të shkruante do të infektohej. Për fat të Kastros, stilolapsi u përdor fillimisht nga një prej agjentëve të tij.
ATENTATET
Megjithatë, përpara se të fillonin atentatet në vitet 1960, CIA u përpoq të shkatërronte reputacionin e tij në mbarë botën, në mënyrë që ai të mos kishte mbështetjen e njerëzve përreth tij. Gjatë presidencës së Dwight D. Eisenhower, CIA madje bëri një plan për të spërkatur një dhomë të tërë radioje me një substancë të tillë si LSD(një lloj acidi) që do ta bënte Kastron të sillej çuditshëm gjatë një interviste live. Në Kubë në kohën kur Castro u bë udhëheqës, ai filloi një trend të mjekrës, të cilën e përdori gjithashtu si një markë personale që e përfaqësonte atë në mbarë botën. Heqja e mjekrës do të nënkuptonte humbjen e markës së tij origjinale dhe për rrjedhojë rrezikun e humbjes së një pjese të mbështetjes së tij.
Shumë u përpoqën t’ia spërkatnin mjekrën me kimikate për t’ia hequr, por të gjitha dështuan, kjo është arsyeja që nuk ka asnjë foto të Kastros pa mjekër. Disa nga planet e vrasjes përfshinin madje kriminelë nga Interpoli që jetonin në Las Vegas në atë kohë, si dhe njerëzve nga Kuba që ishin kundër Kastros, i cili u internua në Miami. Në vitin 1975, Castro akuzoi CIA-n se i kishte dorëzuar senatorit George Mcgovern një listë me 24 tentativa për vrasje. Disa nga përpjekjet madje ndodhën në vitin 1979 kur Castro udhëtoi në Nju Jork për të mbajtur një fjalim në OKB. Kur u intervistua nga një gazetar ai u pyet nëse kishte veshur një jelek antiplumb poshtë këmishës. Kastro tregoi trupin e tij dhe u përgjigj se mbante “jelek moral”.
CIA provoi gjithçka, nga përpjekjet e njerëzve për ta vrarë atë gjatë udhëtimeve të tij jashtë Kubës, deri tek shndërrimi i disa prej sendeve të zakonshme të përdorura prej tij, duke përfshirë ushqimin, në kurthe vdekjeprurëse dhe deri në vendosjen e minave brenda gocave të detit afër vendit ku Kastro dikur shkonte për të notuar. Është e domosdoshme të dimë se të gjitha këto përpjekje u bënë në mënyrë që të mos fillonte një luftë bërthamore dhe që përpjekjet të mund të dukeshin si një aksident, edhe nëse e gjithë Kuba e dinte se CIA donte të vdiste Kastron. Dalja e fundit publike e Fidel Castros ishte më 19 prill 2016 gjatë mbylljes së kongresit të 7-të të Partisë Komuniste Kubane ku ai mbajti fjalimin e tij të fundit në moshën 89-vjeçare. Kastro arriti t’i mbijetonte të gjitha atyre atentateve dhe të vdiste nga pleqëria në 25 nëntor 2016.
SEKRETET
Për 17 vjet, Juan Reinaldo Sanchez ka qenë pjesë e një skuadre elitë të specialistëve kubanë të sigurisë, të ngarkuar për mbrojtjen e jetës dhe privatësisë së Fidel Kastros. Por në vitin 1994, besnikëria e tij u vu në dyshim, kur bashkë me vajzën e cila jetonte tashmë jashtë vendit, një prej vëllezërve u nis me një raft për në Florida. Kastro e pushoi. Sanchez u burgos për dy vjet dhe u torturua.
Në vitin 2008, ai dezertoi për në SHBA, duke u bërë i vetmi pjesëtar i eskortës së Lider Maximos-s, që largohet nga ishulli. Muajin që kaloi, Sanchezi ndërroi jetë, disa javë pasi botoi “Jeta e dyfishtë e Fidel Kastros”, një version në gjuhën angleze i “La Vida Oculta de Fidel Castro”, botuar fillimisht në Spanjë në vitin 2014. Koha e vdekjes së tij, ka bërë shumëkënd të ngrejë pyetjen, se mos dora e gjatë e diktaturës u zgjat për t’u hakmarrë, për rrëfimin e tij mbi jetën e ish shefit. Shkaku zyrtar i vdekjes është raportuar të ketë qenë kanceri në mushkëri. Legjenda e Kastros, si një revolucionar i madh që sakrifikon për popullin e tij, ruhet duke mbajtur të fshehtë detajet mbi jetën e tij. Rrëfimi i Sanchezit tregon Kastron e vërtetë: hakmarrës, me vetëpëlqim të jashtëzakonshëm, dhe i dhënë pas shpërthimeve fëmijërorë të humorit – të ashtuquajturat “stuhi tropikale”.
“Mënyra më e mirë për të jetuar me të”, shkruante Sanchez, “ishte që të pranoje çdo gjë që ai thoshte dhe bënte”. Nuk mund të kishte kohë më të mirë për daljen e librit. Administrata Obama sapo e kishte hequr Kubën nga lista e shteteve mbështetës të terrorizmit, mes kritikave të forta nga mërgimtarët kubanë. Shqetësimet e tyre janë të kuptueshëm: Ndonëse thuhet se Kastro është tashmë i paaftë mendërisht, aparati i shërbimit të fshehtë që ai ndërtoi, i cili është i specializuar në dhunën për destabilizimin e demokracisë dhe trafikun e drogave dhe armëve – mbetet ashtu si ka qenë prej gjysmë shekulli. Sanchez ka parë me sytë e tij indiferencën e Kastros ndaj varfërisë në Kubë.
El Comandante ka mbajtur fjalime pa fund, duke bërë thirrje për sakrifica revolucionare. Por ai jetonte mes luksit, me një ishull privat, një jaht, 20 shtëpi në të gjithë ishullin, një kuzhinier personal, një doktor me kohë të plotë si dhe një dietë të përzgjedhur dhe përgatitur me kujdes. Kur një kompani kanadeze ofroi të ndërtojë një kompleks sportiv për vendin, Kastro e përdori donacionin për një fushë basketbolli private. Kudo ku udhëtonte nëpër botë, shtrati i tij çmontohej dhe dërgohej përpara, me qëllim që të kishte komoditetin që kërkonte. Kastro ishte i fiskuar me përhapjen e revolucionit të tij. Jashtë Havanës ishte ndërtuar një kamp i fshehtë i quajtur Puento Cero de Guanabo, ku siç shkruan Sanchez, “Kuba stërviste dhë këshillonte lëvizje guerilase (dhe organizata) nga e gjithë bota”. Rekrutë nga vende si Venezuela, Kolumbia, Kili dhe Nikaragua praktikonin rrëmbime avionësh dhe mësonin të përdornin eksplozivë.
“Kili i Salvador Allendesë në fillim të viteve 1970”, shkruan Sanchez, “ishte padyshim vendi ku influenca e Kubës kishte penetruar më thellë. Fideli i kushtoi energji shumë të mëdha dhe burime këtij qëllimi”, dhe atje infiltruan shumë operativë të shërbimeve të fshehtë kubanë. Sanchezi kishte mësuar për atë që kishte ndodhur në Kili, përmes kryespiunit të famshëm revolucionar të Kastros, Manuel Pineiro, i cili “qëndronte gjithmonë përreth pallatit presidencial”, duke folur për të. Regjimi kuban “penetroi dhe u infiltrua në enturazhin e Allendesë, me objektivin e krijimit të një aleati të pakushte në Santiago de Chile”.
Marksistët Miguel Enriquez, udhëheqësi i Lëvizjes së Kilit për të Majtën Revolucionare dhe Andres Pascal Allende, bashkëthemelues i asaj lëvizje radikale dhe gjithashtu nip i presidentit Allende ishin njerëzit e Kastros, që ishin stërvitur në Kubë”. Vajza e Allendesë, Beatriz u martua me një diplomat kuban në Santiago, bindi të atin që të dëbojë gardën presidenciale që ai kishte trashëguar. Ajo u zëvendësua nga “militantë të të majtës”, përfshirë edhe agjentë kubanë. Pas rrëzimit të Allendesë, Kastro vazhdoi të stërvisë rekrutë kilenë në Kubë. Një prej tyre ishte Juan Gutierrez Fischmann, që sipas Sanchezit “ishte i kërkuar prej një kohe të gjatë nga Interpoli” për rolin e tij në vrasjen e senatorit kilen, Jaime Guzman.
Një ditë në vitin 1988, ndërkohë që Sanchez po qëndronte jashtë zyrës së Kastros, El Comandante priti ministrin e brendshëm. Kastro e udhëzoi Sanchezin që të mos ndiqte rutinën e përditshme e të mos e rregjistronte takimin. Kur takimi u zgjat e u zgjat, Kastro nuk e hapi asnjëherë derën që të kërkonte uiski, si bënte zakonisht. Sanchezi, shumë kurioz vuri kufjet dhe nisi të dëgjojë. Ai i dëgjoi të dy tek flisnin “për një transaksion shumë të madh të trafikut të drogës, që po kryhej në nivelet më të lartë të shtetit”. Një vit më vonë, Kastro urdhëroi që gjenerali Arnoldo Ochoa – heroi më i nderuar kuban, nga Gjiri i Derrave deri në konfliktin e Angolës – si dhe tre oficerë të lartë të ushtrisë, të pushkatoheshin për trafik droge. Sanchezi arriti të kuptojë se “Fideli i përdorte njerëzit dhe më pas i hiqte qafe, pa u shqetësuar aspak”. Eshtë historia e revolucionit kuban, por nuk është e qartë nëse administrata Obama e kupton.