Vetëm pak ditë pasi zëdhënësi i BE-së Peter Stano, njoftoi se blloku ndante të njëjtin shqetësim me presidentin ukrainas Volodimir Zelensky, për rrezikun e një shpërthimi të situatës në Ballkan, misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, njoftoi dërgimin e një ekipi të specializuar prej gjashtë këshilltarë policorë, të cilët do të angazhohen në katër stacionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit

EULEX sqaroi se kjo lëvizje synon forcimin e kapacitetit këshillues dhe monitorues të misionit. Qëndrimi i tyre do të jetë fillimisht për dy muaj, me mundësinë që të zgjatet edhe më shumë. “Në mënyrë të veçantë, EULEX-it do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta gjatë parandalimit dhe luftës kundër krimit, si dhe garantimit të sigurisë, duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t’i shërbyer komuniteteve dhe për të rritur besimin e popullatës”, thuhet në njoftim.

Tre pjesëtarë të ekipit janë nga Holanda, dhe tre të tjerët nga Suedia. Ata përshkruhen si persona me shumë përvojë dhe ekspertizë të vyer policore. Tensionet kanë vazhduar të mbeten të larta në veri të Kosovës që nga fundi i muajit maj, kur protestat e serbëve lokalë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave atje degjeneruan në dhunë, e çuan në plagosjen e dhjetëra personave, përfshirë ushtarë të KFOR-it. Por ato mbërritën kulmin në 24 shtator me sulmin e Banjskës ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë së Kosovës, dhe tre agresorë serbë.