Nga Ben Andoni
Partia Socialiste ka një pushtet të pakufishëm në vend, kurse kryetari i saj, Rama, po tregon se është i ndarë prej saj. Jo thjesht se nuk votëbesohet më, porse dikton mbi çdo forum të PS-së. E fundit, nga ana organizative, ishte mënyra sesi është sjellë në Asamblenë e pak muajve më parë, kur ndërroi të gjithë sekretarët, pa asnjë lajmërim! Në Kongresin e ardhshëm të PS-së, që do të zhvillohet pas disa javësh, do të merret vesh dhe do të kuptohet më mirë kursi i të ardhmes, por edhe logjika e tij drejtuese. Kuptohet nëse do jetë vërtetë kongres vizioni dhe jo aktivitet elektoral. A do na e tregojë ideologjinë e saj, PS-ja?
Një ideologji politike ka lidhje me atë sesi menaxhohet pushteti nga një forcë politike dhe për çfarë qëllimesh duhet t’i shërbejë elektoratit dhe komunitetin në përgjithësi. Në histori, disa parti politike e zbatojnë dhe e ndjekin në formë rigoroze një lloj ideologjie të caktuar, ashtu si shumë të tjera e marrin frymëzimin nga një grup ideologjish, pa u mbështetur në mënyrë specifike asnjërën prej tyre. Ky mund të jetë rasti i PS-në në vendin tonë sa i përket qasjes ideologjike, e cila i shkonte në fillime dhe kjo lidhej deridiku me Liberalizmin-Social, e cila në literaturë, konceptohet si ideologji politike me një shumëllojshmëri të parimeve të liberalizmit, e cila kërkon ekonomi të tregut dhe zgjerimin e të drejtave politike dhe civile , teksa beson te roli legjitim i qeverisë, ku përfshihen adresimi i çështjeve sociale dhe ekonomike të tilla si: varfëria, kujdesi shëndetësor dhe arsimor. Kur kujton futjen e privatit, koncesionet dhe përfituesit e vërtetë të pasurisë publike në Shqipëri, kupton sesa larg ideologjisë së saj është PS-ja. Për fat të keq, njerëzit e mbetur në parti, tashmë merren thjesht me menaxhimin e pushtetit dhe sidomos kujdesin ndaj përballjeve, ose më hapur: për të qenë sa më afër kryetarit Rama, që është vetë PS-ja. E Majta ime nuk i pranon dembelët, -shtroi njëherë idenë e tij Rama duke vendosur gishtin në plagë tek një fenomen social shumë i përhapur në vend, veçse pa i sqaruar shqiptarët pse biznesi nuk ka rregulla të ndershme; pse konsumatori dëmtohet aq shumë; pse çmimet nuk mbahen në kontroll dhe pse përfitojnë gjithnjë të pasurit; pse nuk taksohen më shumë të pasurit; pse kapitalizmi shqiptar, ku një pjesë e pronarëve janë aq afër Socialistëve, nuk do t’ia dijë aq shumë për kërkesë-ofertën.
Le të shkëputemi për pak nga kjo logjikë për të shkuar në një realitet më evropian: Ka një frymë që shpjegon rritjen e popullaritetit të partive ekstremiste, që tregojnë “se kornizat e vjetra për debatin politik nuk po funksionojnë më”, thonë vëzhguesit akademikë (Hammalian & De Filippis, 2023). Jo thjesht se e Djathta ekstreme gjendet ngado në skenën politike evropiane, porse njësoj me të Majtën ekstreme po e afrojnë diskursin e tyre dhe duket se u janë mbivendosur partive tradicionale të spektrit të së Majtës e të Djathtës në Qendër dhe po kalojnë vetë Partitë e Qendrës. Por nëse vetë partitë tradicionale janë në telashe, prej politikave të tyre (Rasti i PD tek ne është evident ashtu si amullia ideologjike e PS) idetë progresive dhe konsensuale shpesh po merren nga partitë populiste, kur kërkojnë pushtet si në rastin e kthesës së Marine le Pen ndaj Evropës, ose kur janë në pushtet, si në rastin e zhvendosjes së qëndrimeve të Giorgia Meloni-t ndaj NATO-s dhe Rusisë (Ibid).
Po çlidhje ka kjo me PS? Në fakt, jo shumë përveç faktit, që pa asnjë “vrarje ndërgjegje” për ideologjinë, shpesh ajo ka kaluar sipër ideologjisë së saj. Pa u zgjatur po përmendim vetëm paktin e fundit të kryeministrit Rama me Giorgia Meloni-n, një politikane, e cila nuk është as pjesë e PPE, por e grupit ekstremist Evropian, në familjen e të cilës janë edhe partia e Mari Le Pen në Francë, VOX-i spanjoll, si edhe parti të tjera sovraniste të Evropës. Ndaj, Rama duket se mori një goditje jo të vogël në takimin e madh të familjes socialiste në Malaga. Sa për Shqipërinë harroje! Gazetarëve u është dashur shumë fillimisht të mësojnë për Marrëveshjen, që rezultoi se nuk e dinin edhe shumë nga socialistët. Pyetjet e gazetarëve, lidhur me marrëveshjen e emigrantëve me Italinë merrnin përgjigje të turbullta dhe patetike, duke ia lënë peshën e provës vetë kryeministrit, që tashmë në mbrojtje ka një shpurë të tërë, e cila më shumë se argumenti sjell në mbrojtje faktorin historik dhe moral, së pari lidhur me marrëdhënien e ngushtë me Italinë për të cilën duhet t’i jemi gjithnjë mirënjohëse (!) dhe atë moral, sepse ne vetë jemi popull që kemi ikur dhe po emigrojmë!
Po a duhet ta respektojë një parti si PS-ja ideologjinë e saj? Si një grup idesh të mbajtura kolektivisht për shoqërinë, që zakonisht promovohen për të justifikuar një lloj të caktuar veprimi politik, idetë ideologjike janë të nevojshme për t’u identifikuar. Ideologjitë kanë një funksion të vërtetë shpjegues: ato japin shpjegime për faktet dhe problemet e jetës shoqërore, duke u mundësuar individëve dhe grupeve të orientohen në shoqëri, shkruhet në literaturë.
Po pse ideologjia nuk identifikon më? Rasti PS-së jo vetëm në këtë rast, por edhe në politikat e saj ekonomike tregon se ideologjitë nuk janë më rasti i politikës sonë, ashtu siç po ndodh rëndom në Ballkan. Kurse liderët e fortë, alla Rama mund të dalin mbi to: Kjo shpjegon diskursin dhe protagonizmin e Ramës ngado edhe ku nuk duhet, promovimin e ideve të mëdha si ‘Ballkan Open’ dhe shuarjen e tyre të njëanshme, sikur të mos ketë ndodhur gjë.
Nëse në Shqipëri nuk has më kritika, duket se familja evropiane ja ka kujtuar paq një kritikë, që nga Italia, Hungaria, Turqia, por edhe parti të tjera. Dhe, kulmi ishte se në aktivitetin e fundit të rëndësishëm të Socialistëve, kryeministri ynë që ka post në këtë strukturë llogariti se duhej të ishte më parë në Paris, ku u fol për Gazën, një problem që për hir të së vërtetës është mbi Evropën dhe shumë më tepër mbi Shqipërinë, kur në Malaga ishin edhe kancelari Scholz dhe Pedro Sanches.
Mikpritësi i ”Gazës” në Paris, presidenti Makron, organizatori i Partisë së Qendrës “La République en Marche”, që e ndryshoi emrin e saj në Rilindje, duket se ka marrëdhënia shumë të mira me Tiranën zyrtare. Ndërkohë që ideologjikisht ka kundërshtar politik të Majtën Franceze.
Me pak fjalë, ky karshillëk i ri, që duket se nuk përmban ideologji, duket se po e çon drejt Qendrës Ramën dhe kuptohet për inerci PS-në, një abstragim, që po bëjmë e që lidhet nga lëvizjet por edhe mënyrën sesi bëhet ideologjia pa ideologji në vend. Me këtë rast justifikohen deri diku dhe lëvizjet e fundit politike të Ramës. Por a do mundet PS-ja në rast të një kalimi të tillë, që t’i marrë elektoratin e mbetur PD-së së përçarë? Vështirë. Kur nuk ke ideologji të përcaktuar, nuk e merr dot një peshë të tillë. Ndërkohë harrohet se Partitë e Qendrës po e humbasin funksionin e tyre sepse idetë e tyre janë kapur nga Grupet e ndryshme të spektrit politik. Mbetet për t’u parë nëse Parlamenti Evropian, një bastion i Centrizmit, do t’i rezistojë si duhet sulmit të partive populiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, kur edhe për Shqipërinë dhe Kosovën do ketë mbase konjuktura krejt të reja. A do shkojë PS-ja në Qendër? Këtë do e shikojmë në vazhdim dhe sidomos pas Kongresit të Dhjetorit 2023. (Homo Albanicus)