Anëtarët e Gjykatës Supreme votuan 5-0 për të konsideruar të paligjshme politikën e emigracionit të qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve të ardhur me gomone drejt Ruandës.
Kjo politike ishte inicuar 18 muaj më parë nga ish- kryeministri Boris Johnson, dhe ishte një ndër 5 politikat krysore të kryeministrit aktual Rishi Sunak për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Gjykatësit e bazuan vendimmarrjen mbi parime ligjore dhe ligjet evropiane dhe ato ndërkombëtare. Lufta ndaj gomoneve tashmë është në një kaos të plotë, ndërkohë qeveria ka pësuar një knockout total, edhe pse kryeministri Sunak ka deklaruar se po tenton një marrëveshje tjetër me Ruandën, apo marrëveshje të tjera me vende të treta të sigurta për kthimin e azilkërkuesëve, e njëjtë si me Shqipërinë, të cilin ai e përmendi sërish sot në parlament si të sukseshëm, ku sipas tij numri i shqiptarëve të ardhur ka rënë në 90 për qind.
Por Britania do e ketë të vështirë arritjen e marrëveshjeve të riatdhesimit me vende si Iraku, Afganistani, Eritrea apo Siria. Retorika e Sunak duket e pashpresë dhe ka pak gjasa të bind kritikët e tij dhe deputetët e grupit të tij parlamentar. Fakt mbetet se asnjë avion nuk do ngrihet për të dërguar azilkërkues drejt Ruandës, pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme, pasi plani i qeverisë është konsideruar si një antidot vizuale ndaj imazhit të azilkërkuesve të ardhur në brigjet britanike me gomone.
Ky vendim nuk ka asnjë efekt për shqiptarët e ardhur në Britaninë e Madhe, edhe përpara këtij vendimi të sotëm pasi azilkërkuesit shqiptarë tashmë në bazë të marrëveshjes së dhjetorit të kaluar mes kryeministri Rama dhe Sunak ata riatdhesohen drejt Tiranës, duke i hequr një andrallë të madhe qeverisë britanike.