Gjykata e Tiranës vendosi sot pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi.
Gjyqtari Niko Rapi ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mbajtur më pas apo Statut i ndryshuar.
Në këtë mënyrë Statuti i dalë më 2 Shtator, përmes të cilit Lulzim Basha u caktua edhe Kryetar i Grupit Parlamentar nuk është njohur nga gjykata.
Grupi i deputetëve të mandatuar nga Këshilli Kombëtar i thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi kërkoi nga gjykata pezullimin e çështjes, kërkesë që është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.
Përfaqësuesi i ankimimit të bërë nga Gazment Bardhit, Marash Logu, ka komentuar për mediat vendimin e Gjykatës së Tiranës.
“Ëndrra e Lulzim Bashës për t’u bërë kryetar i PD, kundër vullnetit të demokratëve, do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në sirtarin e Lindita Nikollës”, tha Logu.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Lulzim Bashës, Indrit Sefa tha se vendimi i Gjykatës së Tiranës nuk reflekton dhe nuk krijon asnjë problem në organizimin e brendshëm në PD-së.
“Partia do të funksionojë në bazë të statutit të 2 shtatorit. Regjistrimi në gjykatë është çështje formale, gjyqi nuk ka lidhje me kryetarin”, tha ai.
Me statutin e 2 shtatorit, Basha përqendroi pushtetin në duart e tij, duke marrë jo vetëm postin e kryetarit të partisë, por edhe të kryetarit të grupit parlamentar. Një tjetër ndryshim ishte përjashtimi nga anëtarësia e demokratëve që kanë garuar për subjekte të tjera zgjedhore, pra mbështetësit e Sali Berishës që kandiduan në zgjedhjet e 14 majit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.