Marvin Çuni është një nga futbollistët që ka spikatur te Frosinone në këtë sezon.
Trajner Eusebio Di Francesco i ka besuar shumë shqiptarit, madje nuk ngurroi ta aktivizonte sulmuesin që në ndeshjen e parë të Serie A kundër Napolit. Në vijim 22-vjeçari ia shpërbleu edhe me një supergol në ndeshjen kundër Empolit.
I transferuar këtë sezon te Frosinone nga të rinjtë e Bayern Munich, Çuni duke mjaft mirë i përshtatur me futbollin italian. Në një intervistë të fundit për “TuttoFrosinone”, flet për shumë tema, nga jeta e tij jashtë fushe, te diferencat e futbollit gjerman me atë italian dhe sigurisht për lojtarin tjetër shqiptar, Arijon Ibrahimovic.
-Goli i parë i realizuar në Serie A erdhi kundër Empolit, ishte një gol i jashtëzakonshëm, cila ishte ndjesia e atij momenti?
“Kundër Empolit kisha shënuar në pjesën e parë, por më ishte anuluar goli. Isha i nervozuar dhe më pas shënova atë gol me takë. Një gol shumë i bukur, ishte një ngushëllim i denjë për golin e anuluar më parë”.
-Cila është diferenca mes futbollit gjerman dhe atij italian?
“Nga aspekti i intensitetit ka shumë ngjashmëri, ndoshta në Gjermani është një futboll më i hapur dhe preferohen më shumë duelet një kundër një. Në Itali preferojnë që aksionin ta ndërtojnë nga mbrojtja dhe kërkojnë të luajnë më pas në një mënyrë më të arsyeshme”.
-Si kanë qenë këto muajt e parë te Frosinone?
“Prej fillimit jam ndjerë shumë mirë, është një qytet i vogël. Edhe me skuadrën impakti ishte menjëherë shumë pozitiv. Është një ambient në të cilin mund të punosh mirë dhe me qetësi. Pastaj të luash në Serie A është për një mundësi e jashtëzakonshme, një mundësi për t’u rritur më shumë”.
-Cilat janë lojtarët që iu referohesh? A mund të jetë Serie A një “trampolinë” për karrierën tuaj?
“Atyre që iu referohem në futboll janë Cristiano Ronaldo, Mbappe dhe Haaland. Serie A është një kampionat shumë kompetitivë dhe sigurisht mund të më ndihmoj shumë në rritjen time”.
-Kush janë objektivat personal të Marvin Çunit?
“Nuk jam tipi i futbollistit që vendos objektiva personal, mendoj vetëm të luaj sa më shumë ndeshje. Nuk dua të mendoj për atë që do të ndodhë në fundin e kampionatit”.
-Vjen nga eksperienca në Gjermani me Bayern ku je stërvitur edhe me kampionë si Muller, Neuer apo Thiago Alcantara… Çfarë ndjesie të jep dhe sa ke fituar nga eksperienca me bavarezët?
“Ajo me Bayern ka qenë një eksperiencë shumë e bukur në aspektin personal. Thiago Alcantara është lojtari më i fortë që kam pasur pranë, me atë shkoja në stërvitje. Të isha pranë atyre kampionëve për mua ishte një ekperiencë fantastike”.
-U transferove në verë ashtu si Ibrahimovic. Ai është edhe më i ri se ty, e prisje këtë përshtatje të Ibrahimovic që po ashtu vjen nga Bayern?
“Prisja që të kishte disa vështirësi duke ditur që bëhet fjalë për një futbollist shumë të ri. Por, ai ka shumë kualitet, është i fortë dhe e dija se do të bënte mirë sapo t’i vinte rasti”.
-Kush është shoku i skuadrës me të cilin je afruar më shumë?
“Jemi një grup i bashkuar, ndjehem mirë me të gjithë. Por, duke qenë se flasim të njëjtën gjuhë, jam afruar më shumë me Ibrahimovic dhe Harroui”.
-Si është Marvin Çuni jashtë fushës së lojës?
“Jam një tip që nuk më pëlqen të dal shumë, qëndroj në shtëpi dhe luaj playstation”.
-Si është Di Francesco si trajner?
“Që nga stërvitjet e para e kam kuptuar se është tipi i trajnerit që kërkon të krijojë lojë. Është një trajner me nivel të lartë, padyshim më i miri që kam pasur deri tani. Ndjehem shumë mirë edhe në aspektin personal si brenda fushe, ashtu edhe jashtë saj”.