Tre persona kanë sulmuar fizikisht një të punësuar në sigurimin në fabrikën për marihuanë për qëllime mjekësore në atarin e fshatit Çegran të Gostivarit, pas çfarë nën kërcënim me pistoletë e kanë mbyllur në një hapësirë dhe nga fabrika kanë marrë 41 thasë me marihuanë me një peshë të përgjithshme prej 552.85 kilogramë marihuanë.

Siç informoi sot MPB-ja, vjedhja është raportuar dje në orën 23 në Departamentin e Punëve të Brendshme në Gostivar.

“Sipas deklaratës, pasi ata janë larguar, ai ka dalë dhe ka vërejtur se porta e fabrikës ishte e hapur dhe se dy dyer nga pjesa e brendshme janë thyer. Në konsultim dhe koordinim me prokurorin publik, ekspertizë ka kryer ekipi i Departamentit për Punë të Brendshme Gostivar dhe është konstatuar se personat nga brendësia e objektit kanë marrë 41 thasë me gjithsej 552.85 kilogramë marijuanë”, njoftoi MPB-ja.

Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Paraprakisht, më 4 tetor të këtij viti nga ana e DPK-së, pas një kontrolli dhe bastisje të jashtëzakonshëm me urdhër gjykate, në koordinim me Komisionin për vlerësimin e plotësimit të kushteve në lidhje me hapësirën, pajisjet dhe kuadrin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë janë konstatuar parregullsi në punën e fabrikës.

Të mbjellat e kanabisit të sekuestruar i janë dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, pas së cilës është parashtruar kallëzim penal kundër personit juridik dhe përgjegjës sipas Ligjit për Kontrolli i Drogave Narkotike dhe është ngritur procedurë për heqjen e licencës.