Grupi palestinez Hamas pretendoi të hënën se kishte vrarë disa ushtarë izraelitë dhe kishte shkatërruar një numër tankesh në përleshjet në Rripin e Gazës. Krahu i armatosur i grupit, Brigadat Qassam, tha se luftëtarët e tij ishin përfshirë në përleshje të ashpra me forcat izraelite gjatë të cilave u vranë disa ushtarë.

Grupi palestinez tha se kishte shkatërruar tre tanke izraelite me predha kundër blindave në Beit Hanoun në Rripin verior të Gazës, dy në Tel al-Hawa në jug të qytetit të Gazës dhe një tjetër në veriperëndim të qytetit të Gazës, raporton media turke Anadolu.

Nuk ka ende asnjë koment nga ushtria izraelite mbi pretendimin. Sipas stacionit televiziv lokal Al-Aqsa, Hamasi ka shkatërruar 12 automjete ushtarake izraelite, duke përfshirë tanke, në përleshjet në Rripin e Gazës që nga e diela.

Izraeli ka nisur sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor. Më shumë se 11,300 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 9,770 palestinezë dhe gati 1,600 izraelitë.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2.3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.