Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që duan të rriten në gradë, kanë momentin e tyre.

Me firmën e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, është hapur pas muajsh bllokimi, konkursi i gradave në Policinë e Shtetit. Në total janë 562 vende vakante, mes të cilëve 12 për “drejtues i pare”, 40 për “drejtues”, 200 janë “kryekomisar” dhe 320 “Komisar”.

Gara për aplikimet brenda radhëve të bluve është hapur më 17 nëntor dhe pritet të zgjas një muaj, deri më 17 dhjetor dhe pas kësaj nis faza e seleksionimit.

Kandidatët do vlerësohen me shkrim dhe gojë, përfshirë edhe performancën në detyrën që ka mbajtur më herët. Muhamet Rrumbullaku anuloi nismën e konkursit për gradën “kryekomisar” vetëm pak kohë pasi u emërua në detyrë në shtator 2022, e hapur më herët nga paraardhësi i tij, Gledis Nano.

Kryepolici i sapo emëruar Rrumbullaku vendosi ta anulojë me pretendimin e bërjes së ndryshimeve në strukturë. Ish-drejtuesi i policisë Gledis Nano kishte hapur garën për “kryekomisar” për 75 vende.

Hapja e garës për gradën “drejtues i parë” u krijon mundësinë elitave të reja të policisë të marrin poste drejtuese, të cilat prej vitesh duket se janë zënë nga një grup drejtuesish që vetëm riciklohen një herë në disa muaj, me emërimi nga një drejtori qarku në tjetrën.

Hapja e garës së gradave vjen në një moment deçiziv të Policisë së Shtetit, mes skandaleve për arrestimin e punonjësve të përfshirë me krimin dhe si një nevojë për përfshirjen e më të mirëve në kupolë, aty ku SPAK duket se ka shtrirë vëmendjen e tij këto muaj.