Abrahami, pionieri i doktrinës Monoteiste në historinë biblike dhe hebraike, mori një “thirrje hyjnore” të fuqishme që e shtyu atë të emigrojë nga qyteti i Ur-it në Mesopotaminë e lashtë, sot Iraku, drejt vendit të Kenanit (sot Izraeli). Ky emigrim nuk ishte vetëm një lëvizje gjeografike, por një përpjekje për të ndjekur një urdhër dhe “shpallje hyjnore”, ku Zoti ia shfaqi Abrahamit “Tokën e Premtuar”, pasuri të madhe dhe pasardhësish, duke krijuar kështu një identitet të ri etnik dhe religjioz në “Tokën e Premtuar”, Izraelin e sotëm.
Abrahami u largua me familjen dhe pasurinë e tij, duke sjellë një sasi të pasurisë, përfshirë deve, dele dhe kuaj. Në Kenan, ai nuk u bë vetëm një themelues i komunitetit hebre, por gjithashtu shpërndau fjalën dhe besimin e Zotit, duke krijuar një lidhje të ngushtë me Hyjin. Atje, ai ishte lajmsjellësi i fjalës së re të “shpalljes hyjnore” të Zotit dhe vendosi rrënjët e monoteizmit, një koncept religjioz që vendosi themelet e një identiteti monoteist në rajonin e Mesdheut Jugor.
Pavarësisht premtimeve hyjnore dhe misionit të tij në Kenan, Abrahami u detyrua të shkonte në Egjipt për një kohë të caktuar. Ai u ballafaqua me sfidat dhe peripecitë në një vend ku politeizmi ishte i kundërt me predikimet e tij, ndoshta duke u përballur me rezistencë për shpalljen e një Zoti të vetëm. Kjo lëvizje nuk mund të shihet si një refuzim i urdhrave hyjnore për Tokën e Premtuar, por si një reagim ndaj kushteve mjedisore dhe ngjarjeve të jashtme që mund të kishin rrezikuar misionin dhe detyrat e tij të urdhëruara nga Zoti.
Emigrimi në Egjipt dhe Ndërhyrja e Re Hyjnore
Emigrimi i Abrahamit në Egjipt shënon një periudhë të re në jetën e tij. Në një ambient politeist, ai u sfidua të ruante besimin në një Zot dhe të udhëhiqte popullin hebre drejt një identiteti të ri fetar. Pyetja që lindi ishte: Çfarë ishte motivi i kësaj lëvizje? A ishte kjo një thirrje e re hyjnore apo kushtet e reja mjedisore dhe politike e detyruan atë të kërkonte strehim në Egjipt? Sipas traditave hebraike, emigrimi i Abrahamit drejt Egjiptit është një thirrje e re profetike nga Zoti me qëllim për të konfirmuar devotshmërinë dhe vullnetin ndaj besimit në një Zot. Megjithatë, ka burime që e interpretojnë këtë lëvizje si një reagim të Abrahamit ndaj kërkesave të reja hyjnore, duke pasuar udhëzimet e tij në një mjedis të ndryshuar.
Me kalimin e kohës, një “shpallje e re e Zotit” e drejtoi Abrahamin dhe pasardhësit e tij për t’u kthyer në Kenan. Kjo lëvizje u shpall nga një ndërhyrje hyjnore për t’u kthyer në “Tokën e Premtuar”, duke vazhduar misionin hyjnor dhe mbajtur gjallë shpresën dhe besimin e Abrahamit në premtimet e Zotit.
Emigrimi i Abrahamit shënon një kapitull të rëndësishëm në historinë e popullit hebre. Trashëgimia e tij është një dëshmi e fuqishme se si besimi, ndjekja e urdhrit hyjnor dhe përkushtimi ndaj misionit mund t’i sjellin ata drejt “Tokës së Premtuar”, pavarësisht sfidave dhe peripecive të papritura që mund të dalin në rrugën e tij drejt tokës së Zotit.
Kështu, historia e Abrahamit është një rrëfim i pasur dhe frymëzues i një njeriu të udhëhequr nga besimi dhe bindja ndaj Zotit në rrugën e tij nga Ur në Kenan dhe më tej në Egjipt, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme për brezat e ardhshëm, të një kombi dhe besimi të ri që ai kishte ndërtuar nën udhëzimin e “shpalljeve hyjnore”. Pra, Abrahami ka arritur me sukses të ndërtojë identitete të reja me koncepte monoteiste që më në fund u shpërndanë në shkallë planetare.
Izraeli dhe Hebrenjtë: Nga Koha e Abrahamit dhe Jakobit deri te Moisiu dhe Jezu Krishti – Deri në Luftën e Sotme në Tokën e Premtuar
Përshkrimi i Periudhës nga Abrahami deri te Moisiu
Nga koha e Abrahamit deri te Moisiu, një periudhë e jashtëzakonshme e ngjarjeve dhe peripecive të rëndësishme ka ngjizur historinë e popullit hebre. Në këtë kohë, hebrenjtë ishin të skllavëruar në Egjipt për një periudhë prej 430 vitesh, sipas burimeve të traditës hebraike.
Megjithatë, disa studiues sugjerojnë një kohëzgjatje prej rreth 230 vitesh, duke sjellë ndryshime dhe sfida në interpretimin e të dhënave biblike dhe traditave hebraike. Çështja e kohëzgjatjes së robërisë së tyre është një çështje e interpretimeve të burimeve biblike dhe traditës hebraike.
Eksodi, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë hebraike shënon momentin kur hebrenjtë u çliruan nga skllavëria nën udhëheqjen e Moisiut. Kjo kryengritje e udhëhoqi popullin drejt “Tokës së Premtuar”, duke përcaktuar fatin dhe identitetin e tyre për shekujt në vazhdim. Roli i Moisiut u bë vendimtar, duke udhëzuar dhe udhëhequr hebrenjtë me “shpallje hyjnore” në Malin Sinai, duke u dhënë dhe shpjeguar ligjet dhe rregullat themelore për jetën e tyre shoqërore dhe fetare.
Pas eksodit dhe hyrjes në “Tokën e Premtuar”, hebrenjtë u përballën me sfida mbijetese, luftuan kundër armiqve që u kishin zënë atdheun e tyre dhe vazhdojnë të kërkojnë përmbushjen e premtimit të Abrahamit për “Tokë të Premtuar”, pasuri dhe pasardhës. Zoti ua plotëson dëshirat edhe pse kundër kishin botën politeiste të besimit. Armik i përjetshëm i fesë së re të Abrahamit, Moisiut, Jakobit dhe Krishtit.
Me ardhjen e Jezu Krishtit, një periudhë e re fillon për hebrenjtë. Qasja ndaj mesazhit të Krishtit dhe ndikimi i krishtërimit në historinë botërore ndryshon dinamikën e raportit mes hebrenjve dhe shoqërisë njerëzore. Megjithatë, ndjenja e persekutimit dhe mohimit vazhdon, veçanërisht me qëndrimin historik të Romës e Vatikanit ndaj hebrenjve dhe akuzat e tyre për “tradhti” në ngjarjet e Krishtit i ka shenjëzuar hebrenjtë si një target kryesor, sistematik i perandorisë romake dhe më vonë nën juridiksionin e Vatikanit. Masat e persekutimit ndaj hebrenjve kishin marrë një karakter të egër dhe kolektiv në dimensionin e persekutimit. Jehona e persekutimit ndaj hebrenjve ka hedhur rrënjë në kryqëzimin e Krishtit, në fakt e kryqëzuan Krishtin për t’i persekutuar dhe kryqëzuar hebrenjtë për shekuj me radhë. Këto janë fakte të dokumentuara historike; persekutimi dhe kryqëzimi i hebrenjve në dimensionin kolektiv nuk është ngjarje biblike, por është një dëshmi historike e dokumentuar, një mëkat që hebrenjtë një ditë duhet t’ua falin të krishterëve, sidomos linjës së Vatikanit.
Pas persekutimeve shekullore, hebrenjtë themelojnë shtetin e Izraelit
Pas shumë shekujsh të persekutimeve, hebrenjtë arritën ta themelonin shtetin e Izraelit në vitin 1948. Kjo periudhë ka sjellë një kthesë të rëndësishme në historinë e tyre dhe një fazë të re, duke shtuar sfida dhe konflikte. Lufta e sotme midis hebrenjve dhe palestinezëve shfaqet si një kauzë komplekse e mbushur me ngjarje tragjike nga të dyja palët, duke pasqyruar edhe njëherazi historinë e tyre të shenjtë dhe ndikimin e faktorëve të ndryshëm të jashtëm-brendshëm në ngjarje që po lënë gjurmë të thella për vazhdimin e një lufte të ardhshme në shkallë botërore. Pasojat e kësaj do të jenë katastrofale për njerëzimin.
Si përfundim, historia e hebrenjve është një rrugë e gjatë dhe e shtruar me gjak e sakrifica tash e 4000 vite të ngjarjeve të rëndësishme historike me sfida të ndryshme dhe peripeci. Një rrugë që ka filluar me Abrahamin dhe ka vazhduar me Moisiun, Davidin dhe më tej, duke përshkruar me ndryshime dhe shpresa nga eksodi, në formimin e shtetit të Izraelit. Lufta e sotme midis hebrenjve dhe palestinezëve shënon një kapitull të ri ku shpresa për paqe dhe bashkëjetesë duhet bazuar në respektin reciprok mes dy popujve dhe një zgjidhje e domosdoshme është e mundshme. Paqja në ‘Tokën e Premtuar’ është një shpresë universale që vazhdon të mbetet një synim i përbashkët për të gjitha kombet dhe kulturat.
Ky artikull është pjesa e katërt e një cikli shkrimesh që po publikohen nga Shqip.com