Nëntë persona janë lënduar në tregun e kafshëve në Prizren, pasi dyshohet se një person ka hedhur një granatë dore pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur me dikë tjetër.

Kështu ka konfirmuar Policia e Kosovës, ku sipas saj të gjithë të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Tre të dyshuarit janë identifikuar dhe janë në kërkim policor.

“Sot me datë 22.11.2023, rreth orës 04:50, Policia ka pranuar informatë për një rast plagosje te tregu i kafshëve në Prizren. Nga informatat e para dyshohet se 9 persona kanë pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore. Të gjithë të lënduarit janë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit duke marrë trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar gjithashtu. Në vendngjarje kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë. Tre te dyshuar janë identifikuar dhe janë në kërkim policor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.