Një vit më parë përjetoi makthe në Torino, ku nuk u aktivizua thuajse fare, por këtë sezon historia është ndryshe, Etrit Berisha po përjeton një moment fantastik mes shtyllave të Empolit, ku së fundmi i dhuroi një trepikësh të artë në transfertën napolitane. Gardiani kuqezi u kthye në një mur të pakalueshëm, ndali 7 gjuajte në kuadrat duke mbajtur Empolin në lojë deri në minutën e 92-të, ku një goditje fantastike e Kovalenkos i dhuroi ekipit toskan tre pikët. Berisha ishte lojtari më notën më të lartë në këtë sfidë:
“Protagonist absolut, nëse Empoli mori tre pikët kjo është për meritë të tij. Deciziv në të dy pjesët, i mrekullueshëm në goditjen e Kvaratskhelia-s”, shkruajnë mediat italiane. Vetë Berisha nuk u ndal te nota e tij, por te fitorja e ekipit:
“Nota pas ndeshjes nuk ka rëndësi, e rëndësishme është të ndalosh gjuajtjet. Kishim nevojë për një paraqitje të tillë dhe ishte e rëndësishme ndaj një skuadre të madhe. Unë mundohem gjithmonë të tregohem i gatshëm dhe të ndihmoj sa më shumë të jetë e mundur skuadrën. Të gjithë portierët kanë ulje e ngritje, por besimi i trajnerit është i rëndësishëm. Kam kaluar një periudhë të vështirë, por i përket të kaluarës dhe tani dua vetëm të siguroj mbijetesën e Empolit”, u shpreh Berisha pas ndeshjes.
Kjo humbje e Napolit solli dhe shkarkimin e trajnerit Rudi Garcia. Për momentin, në krye të listës për të marrë drejtimin e ekipit është Igor Tudor, ish lojtari i famshëm i Juves, ish trajner i Marsejës.