Trajneri Massimiliano Allegri nuk heziton të theksojë në çdo konferencë se Juventusi i tij nuk është për titull. Megjithatë, kur janë luajtur 11 javërt e para të Serie A, bardhezinjtë janë në kuotën e 26 pikëve, vetëm dy më pak se kryesuesit e Inter.
Besimi në skuadër është shtuar dhe tashmë titulli nuk duket një mision i pamundur, madje këtë e beson edhe ish-lojtari i Juventus, Andrea Barzagli. Ish-mbrojtësi thekson se bardhezinjtë nuk janë të bukur për t’u parë, por shprehet i bindur se mund të luftojnë për titullin.
“Në këtë skuadër ndihet shumë dora e Allegrit, lojtarët janë rritur shumë. Nga Gatti, Bremer dhe Rugani, Allegri është treguar i zoti për t’i bërë bashkë të gjithë lojtarët. Titulli? Juventus ka grumbulluar shumë pikë, ndoshta më shumë seç e kanë menduar.
Inter është disi më i fortë sepse ka një organikë më cilësore dhe të plotë. zikaltërit kanë pësuar vetëm gjashtë gola dhe kanë shënuar me shumicë, mirëpo Juventus po provon dhe është aty, në kontakt me kreun. E vërteta është se Juventus nuk është një skuadër e bukur për t’u parë, por janë shumë kompaktë dhe kjo është forca e tyre”, u shpreh Barzagli.