Sulmuesi i Partizanit, Al fred Mensah, me siguri po përjeton ditët e tij më të vështira. Në harkun e vetëm pak ditëve ai humbi babanë në mënyrë të papritur, teksa më 11 nëntor u përball edhe me humbjen e një prej shokëve të tij të ngushtë këtu në Shqipëri, Rafael Duamenës. Të dy janë nga Gana dhe njihen që në fëmijëri. “Panorama Sport” ka mundur të sigurojë një intervistë me sulmuesin e Partizanit, i cili tregon se njihet që fëmijë me Duamenën dhe se gjyshja e ish-sulmuesit të Egnatias ka qenë mësuesja e Mensahut në shkollë.

24-vjeçari kujton fëmijërinë me ishshokun e tij, për të cilin nuk ia merrte mendja asnjëherë se do të luante në një ligë me të, pasi Duamena ishte lojtar i një niveli tjetër.

Ishit në lot pas incidentit të Duamenës. Para pak ditësh ju humbët edhe babanë në mënyrë të papritur. Sa të vështira janë këto ditë për ju?

Është e vërtetë që po qaja. Edhe tani jam shumë i ngarkuar dhe ndihem shumëshumë keq. Kur po shkonim drejt Rrogozhinës ndieja se nuk mund të luaj. Doja të luaja, por mënyra se si ndihesha ma bënte thuajse të pamundur. Ndihesha shumë keq.

Kur jeni njohur me Rafaelin?

E njoh shumë mirë Rafaelin, ne njihemi që në vitet 2000, kur të dy ishim fëmijë. Jetonim në të njëjtin qytet në Ganë. Ne kemi luajtur në akademi kundër njëri-tjetrit, nuk kemi qenë në një skuadër, por kemi pasur shoqëri të përbashkët. Luanim në skuadrat e të njëjtit qytet, si të themi Tirana dhe Partizani këtu. Gjithnjë shiheshim në ndeshje dhe në qytet, luanim dhe bisedonim së bashku. Rafaeli jetonte me gjyshen e tij. Kjo e fundit ishte mësuesja ime në shkollë. Gjyshja e tij nuk dëshironte ta linte Rafaelin të luante futboll, nuk e pëlqente. Por ai nuk ndalej, sepse e vetmja gjë që donte më së shumti ishte të luante futboll.

Ka pasur Duamena ndonjë problem shëndetësor gjatë fëmijërisë?

Jo, jo. Në pamje të parë ka qenë fëmijë normal, si të gjithë të tjerët. Nuk kam biseduar ndonjëherë në atë moshë rreth kësaj, por ai dukej shumë i shëndetshëm. Nuk kishte asnjë problem./Panorama Sport