Një ish-trafikant droge, i ka dorëzuar autoriteteve italiane një ishull artificial që zotëron në brigjet e Dubait me shpresën për të marrë një ulje të dënimit. Njoftimi u bë gjatë gjyqit në Napoli të hënën, ku përfshiheshin rreth 20 të pandehur, duke përfshirë Raffaele Imperiale, me nofkën “bosi Van Gogh”, një trafikant ndërkombëtar droge për Camorra, raporton ‘The Guardian’.
Imperiale, i cili kishte qenë në arrati për pesë vjet, u arrestua në Dubai në gusht 2021 dhe u ekstradua në Itali në mars 2022.
Ishulli artificial ‘Tajvan’ në Dubai! Bosi i penduar i trafikut
Sipas hetuesve, Imperiale bleu ishullin, të quajtur Tajvan, gjatë kohës që ishte fshehur. Vlera e tij vlerësohet në 60-80 milionë euro dhe është pjesë e një arkipelagu artificial në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe të quajtur “Bota” dhe i formuar si një hartë e globit.
Narko-trafikanti nga Castellammare di Stabia, akuzohet se ka importuar të paktën 7 tonë kokainë në Evropë nga viti 2017 deri në 2021-in dhe se ka krijuar një organizatë të aftë për të eksportuar drogë dhe për të pastruar para, duke përdorur një sistem të veçantë dhe të pagjurmueshëm të qarkullimit të prave, të quajtur “Hawala”, i regjistruar vetëm në Dubai.
Imperiale është një kriminel atipik, bir i borgjezisë provinciale (ai ka lindur në Castellammare di Stabia), ku më pas u bë një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë, duke blerë tonelata drogë direkt nga kartelet kolumbiane, duke pasur një likuiditet të madh.
Bosi i penduar napolitan i organizatës mafioze “Camorra”, ka derdhur shuma për të ricikluar edhe duke blerë art: për shembull dy piktura të Van Gogh të vjedhura në Holandë.
Historia e tij kriminale u shfaq vetëm në vitin 2000, kur hetuesit e kthyen në qendër të vëmendjes dhe dokumentuan marrëdhëniet e Imperiales me anëtarët e klanit “Di Lauro” të Secondigliano-s në Napoli.