Forcat izraelite kanë paralajmëruar njerëzit në disa qytete në zonën Khan Younis që të evakuojnë shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në strehimore. Khan Younis është qyteti më i madh në Gazën jugore – ku njerëzit u larguan pasi iu tha të evakuonin veriun.

Forcat izraelite të mërkurën mbrëma hodhën fletëpalosje mbi katër qytete – Bani Shuhaila, Khuzaa, Abassan dhe Qarara – të cilat ishin shtëpia e më shumë se 100,000 njerëzve përpara se jugu të mbingarkohej me njerëz të zhvendosur.

“Për sigurinë tuaj, ju duhet të evakuoni menjëherë vendbanimet dhe të drejtoheni në strehimore të njohura. Kushdo pranë terroristëve ose objekteve të tyre vë në rrezik jetën e tyre dhe çdo shtëpi e përdorur nga terroristët do të jetë në shënjestër,” thuhet në fletëpalosje, sipas Reuters. Javë më parë, fletëpalosje të ngjashme u hodhën mbi Gazën veriore përpara se Izraeli të niste ofensivën e tij tokësore.

Në tetor, popullsia e Khan Younis shkoi nga 400,000 banorë në më shumë se një milion, ndërsa qindra mijëra u larguan nga Gaza veriore. Mijëra njerëz të zhvendosur tani po jetojnë në kampe të improvizuara, spitale dhe terrene shkollore në Khan Younis.