Falë fitores 0-1 në transfertë ndaj Salzburg, Inter siguroi kualifikimin mes 16 më të mirave në Champions League. Zikaltërit mund t’i luajnë më të qetë dy ndeshjet e mbetura në Grupin D dhe të mendojnë vetëm për të marrë kreun e grupit, një sfidë që e kanë vetëm me Real Sociedad.

Për t’u rikthyer te sfida me Salzburg, pjesë e saj nga minuta e 61-të u bë edhe Kristjan Asllani. Tekniku Simone Inzaghi ka nisur t’i besojë gjithnjë e më shumë mesfushorit shqiptar. Pas ndeshjes, 21-vjeçari u shpreh se është përmirësuar në shumë aspekte, kjo edhe falë ndihmës së shokëve në stërvitje.

“Këtë vit ndjej që jam përmirësuar në shumë aspekte, kjo është edhe një meritë e shokëve që më ndihmojnë shumë në stërvitje. Po rritem shumë. Jam i lumtur që u aktivizova dhe që fituam ndaj Salzburg. Ishte thelbësore, e dinim që ishte e komplikuar.

Por, tani jemi të kualifikuar dhe mund t’i presim me më shumë qetësi ndeshjet e radhës. U munduam të mos i lejonim hapësira Salzburgut sepse janë një skuadër e rrezikshme dhe që vrapon shumë. Ishim të zotët që me anë të përulësisë të merrnim rezultatin e duhur.

Tifozët? I falenderojmë sepse ata janë gjithmonë fantastikë. Nuk e di çfarë do të bënim nëse nuk do të ishin ata, duhet të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të fitojmë ndeshjet edhe për ata”, u shpreh Asllani.