Përfaqësuesja kuqezi rikthehet në fushë, këtë herë në stërvitje më pak se 24 orë nga ndeshja e fundit e mbrëmjes të së premtes kur u siguruar edhe për të dytën herë në histori kualifikimi I madh për në finalet e mëdha të europianit Gjermani 2024.

Në Shtëpinë e Futbollit në kryeqytet kuqezinjtë janë sërish në fushë nën urdhrat dhe këshillat e trajnerit Sylvinho dhe stafit të tij, në përgatitjet për ndeshjen e fundit të kësaj fushate eliminatore, atë ndaj Ishujve Faroe në “Arenën Kombëtare”.
Me barazimin ndaj Moldavisë ne siguruam biletën për në Gjermani, ndërkohë që kemi ende edhe një tjetër sfidë, që deri në fillim të këtyre eliminatoreve konsiderohej një luks, atë të vendit të parë në një grup ku dy prej rivalëve ishin në letër më të fortë se ne, si Polonia, tashmë e eliminuar dhe Çekia që gjithashtu mbetet pas nesh dhe do të luaj ndeshjen e fundit më 20 nëntor përballë Moldavisë, që të dyja skuadrat me nga një skenar që mund t’i kualifikojë për më tej në finalet e europianit në Gjermani 2024.

Gjithsesi, ndaj Ishujve Faroe, kuqezinjve i mjafton barazimi për të mbyllur edhe çështjen e vendit të parë në grup, që do të ishte gjithashtu historike dhe asnjëherë më parë në historinë tonë të futbollit, në kualifikuese Europianit apo Botërorit. Gjithashtu do të kemi mundësinë të thyejmë edhe rekordin e pikvëve të grumbulluara në eliminatoret e Euro2016-s. Sot pas 7 ndeshjesh, me 4 fitore 2 barazime dhe 1 humbje kuqezinjtë kanë 14 pikë ku kanë për të zhvilluar edhe një ndeshje.
Sa I përket ndeshjes me Ishujt Faroe, stadium është krejtësisht i ezauruar dhe është menduar si një ndeshje me një program festiv në fund, për t’i dhënë mundësinë kuqezinjve të festojnë bashkë me tifozët shqiptar që do të jenë të pranishëm aty, këtë arritje të dytë të madhe të përfaqësueses sonë.