Gianni De Biasi pas tre vitesh nuk është më trajneri i Azerbajxhanit. Italiani, në një bisedë për SKY tregon se është në kërkim të një ekipit tjetër kombëtar.
“Në të ardhmen nëse është e mundur do të kërkoja një kombëtare tjetër, ka diçka dhe shpresojmë se do të materializohet, por derisa të nënshkruhet është më mirë të mos flasim”, tha ish-trajneri i Shqipërisë.

“Shpresoj për përvojën që kam dhe për atë që kam treguar se mund të gjej një përzgjedhje që do të më japë mundësinë të luftoj për të arritur majat dhe për t’u kualifikuar për diçka. Tani më pëlqen dimensioni i ekipeve kombëtare, angazhimet e përqendruara por të largëta që të lejojnë të punosh në mënyrë objektive”, shtoi De Biasi.

Orët e fundit në medie është diskutuar edhe për kalimin e tij te Kosova, pasi këta të fundit nuk rinovuan me trajnerin Primoz Gliha, duke qenë pa trajner për momentin.
Përsa i përket Italisë, ai nënvizon se “është një ekip që do të jetë në gjendje të nxjerrë më të mirën në momente vendimtare”. Kujtojmë se De Biassi ishte pjesë e Shqipërisë për disa vite, duke çuar ekipin në finalet e “Francë 2016”.