Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë deri në prill të vitit të ardhshëm. Në një postim në “Facebook”, ai shkruan se kjo po ndodh qëllimisht nga vetë kryeministri Albin Kurti.
“Qysh herët kam paralajmëruar se regjistrimi i popullsisë nuk do të bëhet këtë vit dhe kjo po ndodh qëllimisht nga vetë kryeministri Kurti. Shtyrja e regjistrimit, për herë të tretë, tashmë për në prill të vitit të ardhshëm, dëshmon se paaftësia, shkelja e ligjit, ndërhyrjet politike dhe fshehja e shifrave reale e karakterizojnë këtë Qeveri dhe këtë proces që nga fillimi”, ka shkuar Krasniqi. Qeveria e Kosovës mori sot vendimin të shtyjë regjistrimin e popullsisë për vitin e ardhshëm.
Kryeministri Albin Kurti, tha se ASK ka marrë zotimin se ky proces do të kryhet në periudhën prej 5 prillit deri më 17 maj të vitit 2024.