“The Laughing Valier”, piktura e vitit 1624 është ekspozuar së fundmi në Galerinë Kombëtare të Londrës.
“Kur hyra brenda dhe e pashë, mbeta i shtangur”, tha artisti britanik Tam Joseph në momentin e parë kur pa “The Laughing Valier” nga piktori holandez Frans Hals (1582-1666) në koleksionin Wallace në Londër. “Ishte absolutisht e mahnitshme”, u shpreh ai për BBC.
“The Laughing Valier” është një nga fytyrat më të njohura të artit, me buzëqeshjen e tij delikate dhe mustaqet karakteristike. Madje kjo pikturë është riprodhuar në mbajtëset e biskotave, karficave dhe reklamave të birrës.
Në vitin 2020, kur pandemia detyroi mbylljen e muzeve, artisti i rrugës Lionel Stanhope, e ktheu atë në një pikturë murale në Lewisham sepse i pëlqente “humori i të parit të diçkaje të tillë në rrugë dhe jo në një galeri”.
Një vit më vonë, artisti Brad Grey nga Irlanda e modernizoi portretin duke ndërruar kokën e kalorësit me një emoji të qeshur.
“Shprehja e fytyrës së kalorësit në pikturën origjinale është shumë humoristike dhe kam përdorur emoji-n për të ngritur humorin në një nivel tjetër”, tha Grey për BBC Culture.
Për Dr Lelia Packer, kuratore e koleksionit Wallace, portreti është “i jashtëzakonshëm”.
“Portretet prireshin të ishin pak më serioze në atë kohë por këtu kemi sy flirtues, faqe rozë dhe mbi të gjitha një buzëqeshje të veçantë që të kujton portretin e Mona Lisës së Leonardo da Vinçit”, tha Packer.