Politologu Ilir Kulla tregoi në një intervistë për Euronews Albania detaje nga marrëveshja e nënshkruar një ditë më parë mes Shqipërisë dhe Italisë për menaxhimin e emigrantëve.
Ai tha se nuk sheh asgjë të dyshimtë, të fshehtë apo të gabuar në një marrëveshje që i hap derën emigrantëve, veçanërisht duke pasur parasysh faktin që shqiptarët historikisht kanë qenë popull emigrantësh.
“Ata janë emigrantë që brenda 28 ditësh duhet deklaruar statusi i tyre, nëse janë emigrantë politikë dhe në këtë rast ata transferohen diku në BE. Italia merr përsipër menaxhimin e këtyre 2 kampeve. Shqipëria ka dy anije luftarake në qëndrojnë në Mesdhe për të shpëtuar emigrantë që kanë rrezikuar edhe jetën. Një vend me të cilin ke ndarë gjithmonë ditët e vështira, kujtojmë këtu vitin ‘92 apo ’99… Nëse ke inat Ramën, ke plot arsye, por në raport me këtë nuk ka asgjë për t’u habitur. Është një marrëveshje e nënshkruar në publik, dhe nuk ka anekse, është e dyanshme, do e kalojë edhe Italia, është e hapur dhe nuk ka asgjë për t’u fshehur. Mos të bërtasin vetëm kur Italia sjell 500 mijë turistë”, tha Kulla.