Më shumë se vendimtare për fatet e Milanit dhe trajnerit Pioli do të jetë sonte supersfida në Champions League kundër Paris SG. ‘Djalli’ që po kalon një minikrizë ndodhet në vendin e fundit në grup me 2 pikë dhe nëse në ‘San Siro’ nuk fiton do jetë me një këmbë jashtë Championsit. Dy javë më parë francezët fituan 3-0 dhe për italianët vlen vetëm hakmarrja.
Para ndeshjes trajneri Pioli, i cili rrezikon ta ketë ndeshjen e fundit në drejtimin e Milanit, ka pranuar se ‘i kanë zhgënjyer të gjithë’, por sonte sipas tij ‘mund të jetë nata e kthesës’. Për Paris SG një fitore do ta afronte shumë me kualifikimin.
Sfida tjetër e grupit të ferrit mes Dortmund dhe Neëcastle do luhet në orën 18:45 në Sigal Iduna Park.
Një ndeshje shumë delikate do ketë edhe Lazio në ‘Olimpico’. Pas humbjes në Holandë të besuarit e Sarri-t kërkojnë fitoren kundër Feyenoord, pasi çdo rezultat tjetër me siguri i nxjerr jashtë nga grupet. Sfida tjetë e këtij grupi luhet në Madrid mes Atletico-s së Simeone-s dhe Celtic, me spanjollët të cilët do tentojnë të kapin vendin e parë.
Në grupin G Manchester City që pret Young Boys ka mundësinë të sigurojë kualifikimin nëpërmjet një fitoreje, ndërsa në Serbi kundër Crvena Zvezdës, gjermanët e Leipzig do tentojnë ti bashkohen anglezëve.
Në grupin H, Barcelona që luan në 18:45 në transfertën e Shakhtar Donetsk, ka gjithashtu mundësinë të sigurojë që sonte kualifikimin, ndërsa Antëerpi i Arbnor Mujës përballet me Porton në Portugali.